FIER- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në Fier, bashkë me ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Ballukun prezantuan arritjet kyçe në prodhimin dhe diversifikimin e burimeve të energjisë, investimet e realizuara në këtë sektor dhe objektivat afatgjata për zhvillim të qëndrueshëm brenda vitit 2030.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku u shpreh se Shqipëria ka një nëntokë të pasur me shumëllojshmëri mineralesh.
Sipas saj, problemi në këtë sektor është fragmentarizimi i këtij tregu, gjë e cila duhet rishikuar dhe bërë më tërheqës për investitorët e huaj.

“Sektori minerar është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Shqipëria është një vend me shumëllojshmëri mineralesh. Kromi është ndër kryesorët. Kemi nevojë për investime në këtë sektor dhe përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE. Ligji i ri, me të cilin kemi nisur dhe jemi duke punuar, do bëhet në një dialog të hapur me gjithë aktorët. Ligji i ri do të përfshijë stimul të ri në investime dhe masa për ruajtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore duke krijuar klimë më të mirë për investitorët. I kemi hedhur hapat e parë. Nëse do kishim sektor të unifikuar me leje të konsiderueshme minerare dhe jo fragmentime, të cilat nuk janë tërheqëse për investitorët, atëherë e gjithë nëntoka shqiptare do të merrte një vlerë të shtuar duke u futur në zinxhirin e ekonomisë tonë.”, tha ajo. Ajo theksoi se imazhi i vendit tonë në Evropë ka ndryshuar, edhe në sektorin e energjisë dhe tregu ynë shihet si vend i sigurt.

“Shqipëria ka filluar që të këtë një vend të rëndësishëm në tryezën energjetike evropiane, duke bërë kështu kalimin e fjalës nga një investitor te tjetri dhe duke e konsideruar tashmë Shqipërinë si një vend të sigurt për të investuar”, u shpreh Balluku.