Serbia dhe Hungaria kanë firmosur një marrëveshje në fushën e mbrojtjes këtë të martë në Beograd. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gashiç dhe homologu hungarez, Kristof Salai-Bobrovnicki. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e cilësoi marrëveshjen me Hungarinë si më të zhvilluarën në rajon, raportojnë mediat serbe.
“Elementet kyçe të këtyre marrëdhënieve janë bashkëpunim ushtarak, i cili reflektohet nëpërmjet zbatimit të stërvitjeve shumëkombëshe, bashkëpunimit ushtarak-teknik, në fushën e prokurimit të sistemeve të armatimit. Dokumenti i nënshkruar nga të dy ministrat sot operacionalizon dhe konkretizon marrëveshjen për bashkëpunimin strategjik në fushën e mbrojtjes, të arritur në vitin 2023 dhe për ne është me rëndësi të madhe që jemi pajtuar me miqtë tanë hungarezë”, tha Vuçiç.
Kjo lëvizje vjen pas marrëveshjes ushtarake të firmosur mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë më 18 mars, për të cilën presidenti serb reagoi ashpër, duke e cilësuar si një “garë armësh” që cenon stabilitetin rajonal, dhe se ishte formuar pa asnjë konsultim me Beogradin zyrtar.
Kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996, por ne kemi parë nga reagimet e Kroacisë dhe disa pjesëve të tjera të rajonit se ata nuk janë shumë të interesuar për të. Jam pothuajse i bindur se NATO-ja as që ishte e informuar dhe se as që u është thënë se cilat marrëveshje janë shkelur.”, deklaroi atëherë Vuçiç.