Nga Hermes Kafexhiu

Ai del çdo ditë dhe flet kudo që ndodhet — në çdo vend ku ulet, në çdo vend ku ka njerëz që ende shpresojnë tek ai. U thotë se Shqipëria është e varfër, se disa shpenzojnë për parfume “kaq e aq”, se disa të tjerë për fustane “kaq e aq”, dhe kështu me radhë.

Ai del dhe u thotë shqiptarëve se Shqipëria është vendi më i varfër në Europë. Por papritur, ditën e djeshme, del në dritë një kontratë lobimi që menduam se kishte mbetur përgjithmonë në arkivat e Lulzim Bashës.

Megjithatë, kjo nuk ka të bëjë fare me Berishën, thonë disa. Por Berisha është i njohur për të thënë gjëra që vetë nuk i bën kjo është një histori e njohur. Fundja, ai është një politikan në hall, që përpiqet me çdo mënyrë të heqë damkën ndërkombëtare nga vetja, duke besuar se edhe historia mund ta pastrojë.

Tani mbetet për t’u thënë: cila është sfida e SPAK në këtë moment, kur papritur del një kontratë, e cila në dijeninë time si gazetar nuk ka as fondacion të identifikueshëm shqiptaro-amerikan dhe as ndonjë “Nuredin” që e njohim me emër apo figurë?

SPAK tani duhet të tregojë impenjim serioz, vullnet dhe transparencë në punë. Duhet të shkojë përtej hetimit të fustaneve, lapsave, kartonave dhe dosjeve të arkivit. Duhet të niset dhe të gjejë Nuredinin.

Nëse prioriteti i SPAK është realisht korrupsioni, paligjshmëria dhe ndëshkimi i zyrtarëve të lartë, atëherë duhet të hetojë këtë kontratë me 100 të panjohura.

Kjo është një kontratë aq e freskët, aq e afërt, sa nuk i ngjan fare rasteve të mëparshme, ku SPAK ka ditur të gjejë gjilpërën në kashtë qoftë nga biletat e avionëve të vitit 2013 apo nga pagesat e vitit 2007.

SPAK i ka borxh shqiptarëve një përgjigje, në përputhje me qëllimin e tij shtetëror: t’u japë drejtësi qytetarëve. Sepse si është e mundur që kryetari i opozitës në një vend të varfër si Shqipëria, mund të dyshohet si një nga liderët më të pasur në Europë?