SHBA -KINË, KUR SUNDUESIT “GRINDEN“
G. Allison versus I. Bremmer
Nga Aladin Stafa
Në një botë dinamike, ku së fundmi të menduarit emocional ka prevaluar mbi arsyen, është bërë gjithmonë e më vështirë të parashikosh të ardhmen; një kuriozitet ambicioz ky i qenies njerëzore. Shekulli i fundit, në arenën politike ka qenë i dominuar prej rivalitetit SHBA-Kinë, ku vendimet dhe etja për dominim absolut të fuqisë së tyre ka lozur një rol të rëndësishëm për popujt e botës. Vecanërisht, dy autorë kanë influencuar ndjeshëm me teoritë e tyre të mendimit duke na përshkruar parashtrimin e situatës e njëkohësisht edhe rrugëzgjidhjet respektive për palët. Prof. Graham Allison, studiues i shkencave politike dhe propozuesi i teorisë së “Kurthit të Tuqididit“ (Allison’s Strategic Structuralism: The Thucydides Trap) dhe Ian Bremmer, një tjetër autor amerikan i cili argumenton në veprën e tij “The Power of Crisis“ (2022) se një krizë sistematike mund edhe të cojë në një ringritje të globit. Ky i fundit, beson te një bashkëpunim dypalësh për të mirën e përbashkët, ndërsa Allison thekson pamundësinë e një konflikti të paevitueshëm.
Në veprën e tij “Destined for War” (2017), Allison vecon konceptin e Thucydides Trap, duke u bazuar në një koncept historik të ngjarjeve ku fuqizimi i një pale kërcënon establishmentin hegjemonik të palës tjetër për një zëvendësim të mundshëm, duke rritur probabilitetin e një lufte. Nëse do t’i referoheshim antikitetit, heqja e një paraleleje mes Athinës dhe Spartës është shembulli më klasik. Rritja e furishme e Kinës në ekonomi, teknologji dhe ushtri mund të kthehet në një rrezik konstant për SHBA-në. Ndaj gjithmonë e më shumë po duket se Kina dhe Shtetet e Bashkuara po shkojnë drejt një lufte por që e vërteta është se asnjëra prej tyre nuk e dëshiron. Sipas profesorit të Harvardit, Graham Allison, arsyeja është Kurthi i Tuqididit, një model vdekjeprurës i stresit strukturor që vjen si rezultat i asaj kur një fuqi në rritje përpiqet në mënyrë konseguente të sfidojë pushtetin tjetër, një forcë shumë më të fuqishme.
Njeriu duke qenë një qenie emocionale në veprimtarinë e jetës së tij dhe me një ftohtësi të munguar në perceptimin e së ardhmes, priret të ndjejë më shumë frikë dhe pasiguri, shkaktaret e para këto që përshkallëzojnë dhe tensionin e krijuar. Ndaj ai gjithmonë mendon se lufta është e paevitueshme, kërcënimet dhe shantazhet mëse normale, të shtrira këto, në atë që analistët e quajnë boshti i tranzicionit hegjemonik.
Por Ian Bremmer në librin e tij “The Power of Crisis”, e sheh ndryshe situatën. Ai ka një qasje me fleksibël dhe optimiste, ku prej krizave konstante globale – sic janë pandemitë, ndryshimet klimatike dhe përcarjet tekonologjike- mund të lindin më shumë bashkëpunime sesa rivalitet dhe konkurencë. Sipas tij, mungesa e një lidershipi global sic mund të jetë “G-Zero World” ka rritur ndjeshëm destabilitetin. Por në të njëjtën kohë i ka hapur udhë një forme të re multilaterizmi (një aleancë mes shumë vendeve me një qëllim të përbashkët), me koalicione të paplanifikuara paraprakisht, duke bërë që strategjitë izolacioniste dhe nacionaliste të mbeten të mënjanta apo në hije. Në kontekstin SHBA-Kinë, të dyja vendet luajnë rolin kryesor në parandalimin ose jo të një kolapsi por pa hequr mundësinë e një bashkëpunimi praktik, vecanërisht në tema ekzistenciale sic e vumë re më lart, pandemitë apo ndryshimet klimatike.
Duke vërejtur me kujdes mendimin analitik të dy autorëve, perspektivat e tyre janë plotësuese dhe të ndryshme njëherazi. G. Allison na kujton rëndësinë që mbart historia si shkencë duke na vënë në dukje se ky zhvillim marramendës i Kinës është i paprecedentë në kohë dhe hapësirë, lidhur natyrshëm me garën për tranzicionin e pushtetit global. Nga ana tjetër I. Bremmer, i cili i shikon kërcënimet si një mundësi për krijimin e një rendi të ri botëror, përmes gjuhës së përbashkët dhe jo dominimit. Nëse G. Allison e sheh zgjidhjen me lentet e natyrës njerëzore, bazuar në fakte të përsëritura historike, I. Bremmer rreket të shpresojë në një skenar më optimist. Një skenar ku njeriut do t‘i duhet të heqë dorë nga dëshira për dominim absolut dhe pushtet, ku raporti i forcave të mos ekzistojë dhe ekuilibri të gjendet në ruajtjen e të keqes së përbashkët. Sidoqoftë dualiteti në qasje në lidhje me këtë situatë është i rëndësishëm të kuptohet. Në një botë ku ndorrimi i fuqisë, formimi i një rendi të ri dhe kërcënimet globale ekzistojnë dhe janë aktuale, skenarët për të ardhmen janë të shumtë nisur fillimisht ndoshta vetëm prej këtyre dy tezave.