Kryeministri Edi Rama është nderuar me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog.
Medalja Presidenciale është një nderim për shembullin që shqiptarët i lanë botës duke mos dorëzuar asnjë hebre, tolerancën fetare dhe etnike.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se ky është nder i jashtëzakonshëm për të, teksa shtoi se Shqipëria është për zgjidhjen me dy shtete. Por sipas kreut të qeverisë shqiptare, me Hamasin nuk ka zgjidhje, sepse ata janë nazistët e shekullit të ri.
“Siç e kam thënë më parë, dua ta përsëris dhe tani, Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por në këndvështrimin tim e në këndvështrimin tonë, nuk ka zgjidhje me Hamasin aty dhe ndryshe nga ç’janë përpjekur të tjerët të thonë, Hamasi nuk është lëvizje rezistence. Hamasi janë nazistët e shekullit të ri.
Historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe, me nazistët nuk ka kompromis.

Duke ju uruar çdo të mirë juve, popullit të Izraelit, gjithë rajonit, e duke pritur me padurim të shoh paqen midis hebrejve dhe arabëve, mbetem vërtetë mirënjohës përgjithmonë, për këtë moment të jetës sime, që jam i sigurt, nuk e meritoj si person, por që jam i sigurt që të gjithë shqiptarët që kanë bërë diçka për hebrenjtë e meritonin këtë moment.”, theksoi ai.