Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe njëherësh Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, përmes një video-mesazhi i jep përgjigje interesimit të diasporës sesi mund të përfitojnë nga “Paketa e Maleve”, një ligj tashmë i miratuar nga Kuvendi që ka për qëllim të nxisë investimet në zonat malore, veçanërisht nga shqiptarët e diasporës.
“Shumë shkruajnë dhe duan më shumë informacion mbi Paketën e Maleve,” tha Balla.

“Kjo është një politikë e re, një qasje e re e qeverisë sonë për zhvillimin e zonave malore dhe agroturizmit në to.”
Ai sqaroi se çdo qytetar që ka në zotërim një tokë ose truall për më shumë se 10 vite – edhe në mungesë të certifikatës së pronësisë – mund të përfitojë nga kjo paketë.
“Është shumë e thjeshtë. Nëse ti apo familja jote keni në zotërim një tokë për një periudhë mbi 10 vite ose keni një truall që familja juaj e pretendon që është trualli që ju ka lënë gjyshi në fshat dhe këtë tokë e keni tokën e të parëve tuaj, por për këtë copë toke, për këtë truall ju nuk keni asnjë letër. Nuk keni pasur kurrë një certifikatë pronësie.
Nuk ka asnjë problem, prandaj kemi menduar Paketën e Maleve. Dhe qoftë për këtë tokën që e ke për një periudhë mbi 10 vite apo për këtë truallin që ta kanë lënë gjyshërit e tu. Do të shkosh në bashkinë brenda së cilës ndodhet kjo tokë. Pra, nëse ti je një banor i Malësisë së Madhe, për shembull, atëherë do shkosh tek Bashkia e Malësisë së Madhe dhe aty do të kërkosh një vërtetim nga Këshilli Bashkiak. Pra, do të bësh një kërkesë dhe do t’i kërkosh Këshillit Bashkiak të vërtetojë që ti këtë tokë e ke në zotërim prej dhjetë vitesh apo këtë truall, është një truall që zona aty e dinë të gjithë që është një truall që i takon familjes tënde, pra është trashëguar nga gjyshërit edhe pse ti s’ke asnjë certifikatë pronësie.” sqaron Balla.
Pas këtij hapi, institucionet shtetërore do të pajisin aplikuesit me leje për të zhvilluar ekonomi malore, si agroturizëm, ferma, pika përpunimi apo grumbullimi.
Një nga pjesët më tërheqëse të paketës është mundësia për të marrë hipotekën e tokës, por me një kusht të vetëm: “Pra, nëse ti do të aplikosh për të marrë vërtetimin për të bërë një agroturizëm, pra po flas një fermë të vogël me një hotel të vogël dhe me një restorant aty për të shërbyer, atëherë ti do të kesh një plan biznesi dhe sapo ta kesh kryer 100% të investimit të planifikuar, ti do marrësh edhe hipotekën e truallit apo të tokës që të kanë lënë apo që e ke nga paraardhësit e tu dhe këtu ka dhe një ofertë ose një propozim nga ana e qeverisë. Dhe kush është propozim i natyrshëm që i gjithë sektori i turizmit përfiton nga lehtësira fiskale, por në rastin e paketës së maleve kemi edhe një propozim tjetër.” tha ai.
Balla theksoi gjithashtu se 500 sipërmarrësit e parë do të përfitojnë nga lehtësira fiskale të jashtëzakonshme: taksa zero dhe TVSH zero për 10 vite.
“Imagjino të bësh një biznes, të hapësh një agroturizëm, një hotel, restorant apo një pikë përpunimi, dhe për 10 vite të mos paguash asnjë taksë – as vendore, as qendrore.”
Në fund të mesazhit të tij, Balla u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, që të shfrytëzojnë këtë mundësi unike.
“Të dashur motra e vëllezër jo vetëm në diasporë, por në Shqipëri dhe që i keni një tokë apo keni një truall të cilin ua kanë trashëguar gjyshërit, por që s’keni asnjë copë letër, me hyrjen në fuqi të paketës maleve ju do të keni një mundësi të artë që atë tokë ta vini në zhvillim dhe ta ktheni në një mundësi përfitimi, për ju, për familjen tuaj, por edhe për Shqipërinë tonë të përbashkët”, përfundoi Balla.