Nëse Sali Berisha merr më pak se një deputet se Lulzim Basha në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ai duhet të japë dorëheqjen nga PD-ja, pasi i rrëzohet edhe falsiteti i luftës personale me ish-kryetarin. Por tre faktorë shpjegojnë më së miri edhe pikiatën e besueshmërisë së kreut të selisë blu, ku kryefjala është lufta personale që ai bën me të gjithë, duke dalë zbuluar edhe me akuza për korrupsion, por edhe duke dëmtuar imazhin.

Kështu u shpreh juristi dhe analisti Kreshnik Spahiu, sot në studion e ‘Frontline’, për sondazhin e radhës së “Piepolit”, në bashkëpunim me Report Tv.

Për juristin, sondazhi përkon edhe me perceptimin qytetar, si për pakënaqësinë ashtu dhe besueshmërinë ndaj kryetarit të PD-së.

“Përsa i përket shifrave që lidhen me të kënaqur dhe pakënaqur kam një konkluzion të shpejtë. Në të gjitha sondazhet e viteve të fundit në Francë, Gjermani, Holandë, Austri etj, përqindjet e zhgënjimit për qeveritë me dy mandate atje ka qenë shumë më e lartë se kjo e Ramës këtu. Ka dy gjëra, ose shifra e gabuar ose shqiptarët e perceptojnë kështu. Saktësia e sondazhit përkon me perceptimin publik. Diku te 55 apo 60% janë të zhgënjyer, ka nga ata që mendojnë se jetë bëhet vetëm në Shqipëri dhe ka nga ata që mendojnë se në Perëndim është fushë me lule”, shprehet juristi.

Kurse për besueshmërinë në pikiatë të Sali Berishës në publik, ai shprehet se sondazhet përkojnë edhe me perceptimin dhe me tre faktorë të rëndësishëm që e shpjegojnë atë.

Shpallja non grata dhe lufta personale që ndërmori me ndërkombëtarët, falsiteti i luftës me Lulzim Bashën dhe lufta personale me të dhe imazhi në sytë e qytetarëve, nga një lider i pakorruptuar, në një person të pandehur nga SPAK për pasuritë e tij.

“Tre janë arsyet e rënies së besueshmërisë së lidershipit të opozitës për zgjedhjet. E para ishte lufta me Lulzim Bashën dhe falsiteti i saj, sepse e mbështeti pas humbjeve dhe për kryetar dhe kur iu prek interesi me SHBA-të, e ktheu në luftë personale, e largoi. Por pas 11 majit ai do përballet me realitet të ri, marrjen e më pak deputetëve dhe më pak vota se Basha që do e bëjë të ketë të vështirë të mbajë PD-në, sepse nuk ka më alibi. Pra ai duhet të japë dorëheqjen nga PD-ja nëse fiton sikur një deputet më pak se Basha më 2021.

Tjetra do bëjë shqiptarët që Sali Berisha nga një lider i pëlqyer, i pakorruptuar, drejtues i fortë, përfaqësues i shtresave të varfra apo të mesme etj., të dalë zbuluar nga SPAK me atë çështjen e pasurive, me 17 pallate etj. Mund t’i ketë të ligjshme, po, por nuk të futur te shtresa e mesme apo e varfër e shqiptarëve, por te të pasurit dhe oligarkët. Tjetra shpallja non grata nga SHBA dhe Britania, ai del e thotë se e ka personale me Yuri Kim, me Blinken, me Anglinë, me SHBA-të etj., pra i ra besueshmëria dhe elektorati e qytetarët nuk të besojnë më, kjo shpjegon edhe ato shifra besueshmërie për të”, thotë Spahiu për Report Tv.