Një ditë para nisjes zyrtarisht të fushatës elektorale të 11 majit, Report Tv në bashkëpunim me Institutin Piepoli sollën sondazhin e radhës. Sipas të dhënave, PS me në krye Edi Ramën do të siguronin mandatin e katërt qeverisës me një përqindje mes 46.5%-50.5%. PS ruan të njëjtat vlera me rezultatet e dy sondazheve të mëparshme, më 13 dhe 27 mars. PS ruan thuajse të njëjtin nivel me rezultatin e vitit 2021 (48.7%). Por, ndërsa PS siguron mandatin e katërt, nga ana tjetër të dhënat e sondazhit tregojnë një rënie për koalicionin e Sali Berishës i cili ka zbritur nga 35%-39% në 33%-37%. Koalicioni i Berishës ka një rënie të thellë edhe më rezultatin e 2021 kur PD e bashkuar mori 39.4%.
Ndërkohë, sa i takon partive të reja, koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt merr 6.5%-8.5%, një rënie krahasuar me rezultatet e sondazhit të 27 marsit kur ishte në vlerat 7%-9%. Ndërkohë, kemi një rritje për Partinë Mundësia të Agron Shehajt, duke kaluar nga 2.5%-4.5% në rezultatin e 27 marsit, në 4%-6% në prill.
Partitë e tjera si PSD e Tom Doshit, Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës apo koalicioni ‘Djathtas për Zhvillim’ i Dashamir Shehit mbeten nën 3%. Vihet re një rritje e lehtë e partisë së Bashës, duke kaluar nga një mbështetje prej 0%-0.5% në mars, në 0.5%-1% në prill. Edhe PSD e Tom Doshit po ashtu rritet nga 0.5%-2.5%, duke u kthyer në vlerat e mëparshme në nivelin 1%-3%. Ndërkohë, parti të tjera do të merrnin 0%-0,5% të votave.