Të hënën e 7 prillit në orën 20:00 në “Arenën Kombëtare” në kryeqytet luhet derbi mes Tiranës dhe Partizanit. Dueli mes tyre vlen për raundin e 33-të në Superligë dhe objektivat e skuadrave janë të ndryshme. Në derbin numër 178 mes tyre në histori, Tirana kërkon të lërë fundin e ftohtë pasi rrezikon mbijetesën, ndërsa të kuqtë duan të konsolidojnë pozitën e katërt që të çon në zonën “Final 4” dhe të jep të drejtë të garosh për titullin kampion pas sezonit të rregullt.
FORMA – Tirana ka katër ndeshje pa fitore dhe sfida e fundit u humb me përmbysje 2-1 me AF Elbasanin. 32 pikë kanë bardheblutë pas po kaq javësh, duke vuajtur fundin e ftohtë. Nga ana tjetër Partizani ka koleksionuar 47 pikë dhe mban vendin e katërt, ndërsa vjen nga dy fitore radhazi që pas emërimit në stol të Skënder Gegës.
STATISTIKAT – Sfida e sotme është e 178 mes tyre në histori, me bilancin që anon nga ana e të kuqve. Nga viti 1947 deri më 2025 në të gjitha kompeticionet dy skuadrat janë përballur 177 herë, me Partizanin që ka 73 fitore, kundrejt 47 të Tiranës; ndërsa 57 ndeshje janë mbyllur në barazim.
GOLAT – 237 gola ka shënuar Partizani në derbi, ndërsa Tirana 189. Goli i fundit në derbi për Partizanin është shënuar nga Sembene me një goditje me kokë në minutën e 90- të. Në anën tjetër shënonte Emanuel Ernest, por nuk mjaftonte për fitoren më datën 9 shkurt të këtij viti (1-1).
KY SEZON – Derbi i kryeqytetit do jetë i katërti mes tyre këtë sezon, teksa tre herët e kaluara nuk ka patur fitues (dy ndeshjet 0-0 dhe një 1-1).
PAK HISTORI – Përballja e parë mes Tiranës dhe Partizanit është luajtur më 30 mars 1947. “Demat e Kuq” fitonin 8-0, duke sigluar edhe fitoren më të thellë deri më tani në derbi.
38 vite më vonë, më 22 shtator 1985, Tirana do kundërpërgjigjej duke e mundur 7-3. Rezultati më i thellë i sezoneve të fundit është ai 28 shkurtit të vitit 2020, kur bardheblutë fitonin me shifrat 5-1. Më 1 mars 2008, kur të kuqtë drejtoheshin nga Hasan Lika, fitonin në “Qemal Stafa” me shifrat 4-1.
Interesant është fakti se nga viti 2006 deri në 2025, janë luajtur 51 ndeshje për llogari të Superligës dhe Partizani ka fituar 22 prej tyre. Në barazim kanë përfunduar 21 ndeshje, ndërsa 8 herë ka triumfuar Tirana.