Nga Mirgen Pero/

Dikur, shprehja “Shqipëria i ka parë të gjitha” më dukej mendim grotesk, një argument i shpikur nga ata që duan t’i vënë kapak debateve shterpë dhe pa thelb. Por, me nisjen e fushatës elektorale, ka filluar të më intrigojë një mendim i ri, diçka që “Shqipëria kurrë se ka parë”, fill pas zhurmës mediatike të “sherifit” amerikan në skenën e PD-së.

Nëse mendoni se i keni parë të gjitha, gaboheni. Ka gjithmonë një herë të parë për çdo gjë. E ky rast i rrallë, duhet veçuar, analizuar, për të kuptuar përmasën e pakuptëmisisë që mbart.

Do e nis me pyetjen e thjeshtë: A keni parë ju ndonjëherë që të dalë kandidati për Kryeministër në miting dhe t’i drejtohet një konsulenti të huaj me: “I nderuar strateg i fushatës, LaCivita…”?!
E pas tij, në rresht për një, të gjithë kandidatët për deputetë me përulësi – sikur ky zotëria nga Amerika do t’jua japë mandatin me firmë personale!

Ore, çfarë është kjo marrëzi?

Një njeri i paguar për të bërë një punë prapa kuintave, ju e nxirrni në skenë si shpëtimtar kombëtar?! Ky vend ka nevojë për opozitë që flet gjuhën e qytetarit dhe për deputetë që u flasin qytetarëve, por, pa dyshimin më të vogël, nuk ka nevojë për tellallë që i recitojnë lavde dhe fjalime mirënjohjeje Lacivitës.

Për vetëm një moment, imagjinoni sikur Trump del në miting, nxjerr Lacivitën të flasë para tij dhe pastaj i drejtohet: “I nderuar strateg…”!!! Dhe Amerika do shkrihej gazit!

Po këtu te ne… ndodh përditë dhe askush nuk qesh më, por në heshtje ndjen vetëm turp!

Të nderuar kandidatë për deputetë, votën nuk jua jep Lacivita – jua jep populli. Dhe populli nuk ha bar. Thirrini arsyes, reflektoni, se do e lani me votë më 11 maj këtë turp të sotëm!

Thoni se e keni “strateg për fitoren”? Po ku është fitorja? E ka sjellë në çantë nga USA?

Një strateg i vërtetë nuk kërkon mikrofon, nuk rri në podium, nuk bën selfie si yll estrade, por punon fort prapa kuintave, pa zhurmë, për qëllimin final. Ky mund të jetë strateg, por më shumë duket si strateg për humbje!

Lacivita nuk është as lider, as deputet, as përgjegjës për asgjë. Është thjesht një i huaj me kontratë dhe faturë në xhep, që në fund të fushatës do t’ia çojë doktorit për pagesë.

Dhe për këtë njeri, ju prisni radhë te hoteli për të bërë selfie, sikur ai do t’ju firmosë mandatin në kafenenë e hotelit ku fle? Fjala turp është pak!

Kulmi i tragjikomedisë?
Keni çuar edhe Ilir Vrenozin të takojë “strategun”. Deri këtu e vetmja skenë që kishte kuptim: strategu amerikan takohet me strategun shqiptar të opozitës! Sepse, të jemi të sinqertë, Vrenozi është më politikan se gjysma e listës suaj!

Ndaj, në keni Zot, mos na turpëroni më si shqiptarë!

Mbajeni për strateg, paguajeni, nxirreni në skenë – bëni ç’të doni. Vetëm mos i drejtohuni më me “i nderuar strateg Lacivita”. Lëreni ta thotë Saliu, pasi nuk ka ç’të humbasë. Kurse ju të tjerëve, do t’ju mbetet turpi në shpinë për jetë!

Se kjo nuk është më fushatë, por cirk. Dhe këtë cirk, e çuat me krenari për eksport në zemër të Lombardisë, në Brescia, me markën “Made in Albania: cirku politik që bën turne në Europë.”

Na vutë faqen në zjarr. Dhe këtë herë, nuk ka zjarrfikës. Sepse “i nderuari strateg” nuk e ka përfshirë në planin e tij “madhështor”!