Në një takim me fermerët në një nga zonat rurale pranë Tiranës, kandidatja për deputete në listën e hapur të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, solli në vëmendje gjendjen dramatike të bujqësisë dhe braktisjen e fshatit.
Në një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me fermerët, ajo theksoi se Shqipëria po dështon në një nga pasuritë më të mëdha që ka: tokën dhe njerëzit e punës.
“Po dështojmë me atë që na ka dhuruar Zoti – me bujqësinë. Po dështojmë me fermerin,” – deklaroi Tabaku me keqardhje, ndërsa shprehu shqetësimin për fshatrat e zbrazur dhe mungesën e brezit të ri që t’i punojë tokat.
Fermerët ndanë me Tabakun vështirësitë e shumta me të cilat përballen çdo ditë – nga mungesa e krahut të punës, taksat e larta, konkurrenca e padrejtë me importet, te karburanti e çmimi i energjisë elektrike.
“Nafta na shtrenjtohet çdo ditë. Energjia po ashtu. Dhe për më tepër, ne jemi në të njëjtën fashë TVSH-je me importuesit. Kjo është një padrejtësi,” – u shpreh një prej fermerëve.
Tabaku u zotua për një program konkret për fshatin dhe për diasporën.
“Për shqiptarët që kthehen nga jashtë kemi një plan: 5 vite pa taksa për ata që duan të investojnë në fshat,” – deklaroi ajo.
Ajo premtoi gjithashtu:
Uljen e TVSH-së për bujqësinë në 6%;
Subvencione të drejtpërdrejta për fermerët;
Përdorim real të fondeve IPARD, që aktualisht mungojnë për shkak të korrupsionit;
Rilidhjen e bujqësisë me turizmin si një motor zhvillimi për zonat rurale.
“Fshati ka nevojë për gjëra të vogla, por duhet ta duash që t’i bësh. Ne e kemi këtë dashuri dhe e kemi këtë vizion,” – theksoi Tabaku.