Një milion deportime brenda këtij viti është një nga qëllimet e shfaqura në disa biseda private nga presidenti amerikan Donald Trump. Dëbimi i një milion emigrantësh brenda një viti do të tejkalonte shumë shifrat e mëparshme, ku rekordi mbahet aktualisht nga Barack Obama, me 400,000 të dëbuar brenda një viti.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, po punon çdo ditë me zyrtarë në Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe agjenci të tjera federale për të arritur këtë qëllim, duke vënë në dukje se administrata është në bisedime me rreth 30 vende për t’i bindur ata të pranojnë emigrantë të dëbuar që nuk janë shtetas të tyre.
Ishte Washington Post, ai që tregoi disa nga vendet me të cilat Uashingtoni do të negocionte, lista e të cilave përfshin Libinë, Ruandën, Beninin, Eswatinin (një shtet i pavarur në Afrikën jugore, një nga tre monarkitë në kontinent, së bashku me Marokun dhe Lesoto), Moldavinë, Mongolinë dhe Kosovën.
Megjithatë, analistët thonë se statistikat e disponueshme e bëjnë një objektiv të tillë jorealist, në mos të pamundur, duke pasur parasysh financimin, stafin në dispozicion dhe faktin që shumica e emigrantëve kanë të drejtë në një seancë gjyqësore përpara se të dëbohen nga vendi.