Papa Françesku është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 88-vjeçare. Më 21 shtator të 2014, Ati i Shenjtë vizitoi Tiranën, udhëtimi i tij i parë si Papë në Europë. Qindra mijëra besimtarë të krishterë dhe myslimanë, mbushën bulevardin qendror të Tiranës për të pritur dhe parë nga afër Papën.
Papa Françesku nga sheshi Nënë Tereza, iu drejtua shqiptarëve me fjalët: “Erdha për t’iu inkurajuar që të rritet shpresa brenda dhe mes jush. Uroj që shqiponja që keni në flamurin tuaj, të mbajë gjithmonë shpresën te Zoti që nuk zhgënjen e qëndron pranë në momente të vështira.” Papa Françesku kremtoi Meshën dhe përforcoi në fe bashkësinë katolike, inkurajoi forcën e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët dhe inkurajoi gjithë popullin shqiptar për të vazhduar në udhën e demokracisë.
Papa Françesku erdhi në Shqipëri 21 vite pas Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, më 25 prill 1993, rivendosi hierarkinë e Kishës katolike të dalë nga vitet e tmerrshme të persekutimit ateisto-komunist.
Papa Françesku, më 19 nëntor 2016 emëroi At Ernest Simon Troshanin me titullin kardinal. Papa e nderoi priftin shqiptar në një ceremoni të zhvilluar për nderimin e 17 klerikëve. At Ernest Simon Troshani u emërua me motivacionin “Për qëndresë historike në periudhën komuniste”. Prifti shqiptar ka vuajtur 18 vite burg në komunizëm. Ai u takua personalisht me Papën në vitin 2004. Gjatë celebrimit, kur Ati i Shenjtë i dhuroi unazën dhe kapelen e Kardinalit, i puthi dorën kardinlit të ri Troshani.