Një tragjedi ka goditur Republikën Demokratike të Kongos, ku të paktën 148 persona kanë humbur jetën pasi një varkë motorike prej druri mori flakë dhe u përmbys. Ngjarja ndodhi të martën në lumin Kongo, pranë qytetit Mbandaka, ndërsa lajmi u raportua nga mediat të premten, duke iu referuar burimeve zyrtare lokale.

Mjeti lundrues, i quajtur “HB Kongolo”, po transportonte rreth 500 pasagjerë, përfshirë gra dhe fëmijë. Varka ishte nisur nga porti Matankumu dhe kishte si destinacion zonën Bolomba. Fatkeqësisht, gjatë udhëtimit, shpërtheu zjarr si pasojë e gatimit në bord nga një grua, sipas deklaratës së zyrtarit të transportit, Compétent Loyoko.

Rreth 100 persona kanë arritur të mbijetojnë dhe janë strehuar në ndërtesën e këshillit lokal, ndërsa të lënduarit janë dërguar për mjekim në spitalet përreth. Megjithatë, qindra të tjerë ende rezultojnë të zhdukur.

Aksidente të tilla janë të shpeshta në Kongo, ku varkat tradicionale prej druri përdoren gjerësisht për transport dhe shpesh tejkalojnë kapacitetin e lejuar. Vetëm vitin e kaluar, 78 persona humbën jetën në një tjetër aksident të ngjashëm në liqenin Kivu.