Nga Eduard Zaloshnja
Plot 217 mijë zgjedhës në emigracion e kanë marrë në dorëzim deri më sot zarfin nga KQZ, në adresat që kanë dhënë kur u regjistruan për të votuar. Por vetëm 1/3 e tyre (32.4% saktësisht) e kanë dërguar votën deri më sot në KQZ. Ndërkohë, mbeten edhe rreth 29 mijë që ende nuk e kanë marrë zarfin në dorëzim, por që në ditët në vijim do ta marrin (DHL po paguhet rreth 30 milionë euro për ta kryer këtë shërbim, dreqi e mori…)

Deri më 11 maj, pyetja është se sa nga 246 mijë emigrantët e regjistruar për votim në KQZ do ta dërgojnë votën e tyre.
Ne shqiptarët shquhemi të jemi me vonesë edhe në varrim, e jo më në votim. Prandaj KQZ-ja duhet të shtojë punonjës provizorë deri më 11 maj, sepse fluksi i votave që do të vijnë nga emigracioni mund të rritet shumë ditët e fundit para zgjedhjeve.
Parashikimi im paraprak është që diku afër 200 mijë votave do të vijnë nga emigracioni, nga 70 mijë që kanë mbërritur deri më sot. Volum intensiv votash priten në 10 ditët në vijim…