Në momentin kur Sali Berisha hynte në dyert e SPAK, të dënuarit në burgun 313 ishin duke brohoritur në mbështetje të tij, duke e thirrur edhe hero.
Pasi gazetarët ia evidentuan episodin që ndodhi, Berisha i mori në mbrojtje të paraburgosurit, që sipas tij qëndrojnë në qeli pa të drejtë.
Kreu i PD tha se çështjen e tyre e ka ngritur edhe në KE, në takimin e tij me anëtarët e Komitetit të Antitorturës, ndërsa premtoi se për çdo ditë burgu që kanë kryer pa të drejtë, do të paguhen me para nga rrogat e qeveritarëve që i kanë mbajtur aty.
“Mesazhi im është ky. Shqipëria është njolla e zezë e turpit në Europë dhe nga më të zezat në botë sepse Shqipëria mban në burgje 67% e popullatës së burgjeve është në paraburgim dhe nuk ka dëshmi më madhore torture sesa kjo. Në këtë vend ka pushuar së funksionuari prezumimi i pafajësisë.
I garantoj se ato ditë burgu që bëjnë pa meritë do tu shpërblehen me rrogat e qeveritarëve që u kanë mbajtur. Është një krim dhe ta dinë mirë se unë në Këshillin e Europës kam bërë një takim shumë të frytshëm me Komitetin Antitorturë.
Ka qenë tortura që u bëjnë 67% e të burgosurve që janë në gjendje paraburgimi, 1/3 e të cilëve janë pa asnjë akuzë, 500 prej tyre janë të sëmurë, pra është një gjendje katastrofale për të cilën këta meritojnë dhe kam besim se Komiteti Europian i Antitorturës do ua bëjë avo0katinë të gjithë atyre që ju shkelen të drejtat në burgjet shqiptare”, tha Berisha.
I pyetur në vijim nëse të paraburgosurit që e thirrën hero do të votojnë për të në zgjedhjet e 11 Majit, Berisha u përgjigj: “Se për kë do votojnë e dinë ata vetë”.
“Ne nuk i ndërhyjmë kujt në votë por ne themi që të votosh për xhelatin tënd është problem”, theksoi ai.