Ka përfunduar pas katër orësh marrja në pyetje e nënës së Mark Samson, të riut të arrestuar për vrasjen e Ilaria Sulës, ish-të dashurës së tij.
Gruaja është regjistruar që të shtunën në regjistrin e të dyshuarve me akuzën e bashkëpunimit në fshehjen e trupit të pajetë, një vepër penale që parashikon deri në tre vite burg.
Një marrje në pyetje që zgjati katër orë, edhe për shkak të pranisë së domosdoshme të një përkthyesi, të cilën gruaja vetë e kishte kërkuar, përballë provave gjithnjë e më të forta ndaj saj.
“E ndihmova djalin tim të pastronte njollat e gjakut në shtëpi”, pranon Nors Marlapz.
Në përfundim të deklaratave dhe përgjigjeve ndaj pyetjeve të prokurores Maria Perna, asaj iu formalizua akuza për bashkëpunim në fshehjen e trupit.
Në urdhrin e arrestit për 23-vjeçarin, gjyqtari nënvizon “ftohtësinë dhe mungesën e ndjeshmërisë” në goditjen e befasishme dhe “brutale të një personi që kishte besim tek ai”.
Gruaja, e cila pranon se ka qenë në shtëpi në momentin kur djali i saj kreu vrasjen, thuhet se e ka ndihmuar të pastrojë dhomën e gjumit ku dyshohet se ndodhi vrasja.
Në ditët në vijim, ekipi mbrojtës i 23-vjeçarit mund të kërkojë një ekspertizë psikiatrike për Samson.
“Nëna ishte në shtëpi, ndryshe nga babai i tij, i cili në atë orë nuk ndodhej aty, dhe tani po sqaron pozicionin e saj. Ajo është nën hetim për bashkëpunim në fshehjen e trupit të pajetë”, konfirmon avokati Fabrizio Gallo, mbrojtësi i Mark Samson.