Partia e Lirisë kërkon votën për PD-në, kryetarin e burgosur Ilir Metaj dhe koalicionin e ADSHM-së.
Pas sekretares Arla Merja, në konferencë për mediat, me një deklaratë elektorale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit doli edhe anëtarja e Kryesisë në Partinë e Lirisë, Anisa Ibraj.
Në fokus ishte programi ekonomik i PL-së pas zgjedhjeve që i premtohet shqiptarëve dhe vënia në dukje e rrënimit ekonomiko-social nën qeverisjen e mazhorancës, ku dukshëm bie në sy braktisja e vendit nga të rinjtë.
Deklarata e plotë nga Anisa Ibraj:
“Të nderuar qytetarë, të rinj e të reja, sipërmarrës, punëtorë dhe profesionistë,
Zhvillimi ekonomik i vendit tonë është një çështje jetike.
Sipërmarrja është zemra e ekonomisë – ajo krijon vende pune, gjeneron të ardhura dhe nxit inovacionin.
Por në Shqipëri, shumë prej sipërmarrësve, veçanërisht ata të rinj ose të vegjël, përballen me barriera të pakapërcyeshme që i çojnë drejt falimentimit, si: barra fiskale, burokracitë institucionale, mungesa e mbështetjes financiare apo mungesa e edukimit për sipërmarrjen.
Zgjidhjet ekzistojnë.
Kemi nevojë për një reformë të thellë në sistemin tatimor që të jetë inkurajues për sipërmarrjen, duhet të luftojmë realisht korrupsionin, të thjeshtojmë procedurat dhe të ofrojmë më shumë mbështetje për idetë e reja, sidomos për ato që sjellin vlera të shtuara për ekonominë.
Nëse dëshirojmë që të rinjtë të mos largohen nga Shqipëria, duhet t’u japim arsye për të qëndruar.
Prandaj, më 11 Maj, qytetarët shqiptarë do të kenë në dorë një vendim me peshë të madhe për të ardhmen e vendit tonë.
Zgjedhja është e qartë:
Ose vazhdojmë me stagnimin, me një ekonomi që favorizon një grusht oligarkësh e klientësh të qeverisë,
ose votojmë Ndryshimin, votojmë Numrin 1 – Partinë Demokratike – Aleancën për Shqipërinë Madhështore, që i jep frymë punës, ekonomisë dhe garanton një vizion të ri ekonomik për vitet që vijnë – një vizion që vendos në qendër punën, prodhimin vendas, si dhe fuqizimin e rinisë dhe grave sipërmarrëse.
Është koha ta kthejmë prodhimin “Made in Albania” në një simbol krenarie kombëtare dhe një motor zhvillimi ekonomik për të gjithë shqiptarët.
Çfarë propozon programi ynë?
1. Krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit – një bankë me kapital shtetëror dhe garanci nga donatorë ndërkombëtarë që do të financojë projektet prioritare të zhvillimit, sidomos për startup-e, të rinjtë, gratë dhe emigrantët që kthehen në atdhe.
2. Revolucion fiskal i pashembullt – sistemi më i lehtë tatimor në rajon:
-Tatim i sheshtë 10% mbi fitimin dhe kapitalin;
-Zero tatim mbi pagat deri në 50 mijë lekë në muaj;
-Tatim 10% mbi të ardhurat nga puna dhe profesionet e lira;
-Tatim-fitim zero për biznesin e vogël deri në 18 milionë lekë xhiro vjetore.
3. Zonat e Lira Ekonomike (ZLE) – të paktën katër zona ekonomike me lehtësira fiskale, automatizim prodhimi dhe punësim për mbi 20% të fuqisë punëtore me eksperiencë të parë.
4. Për të rinjtë nën 30 vjeç:
-Zero sigurime shoqërore për vitin e parë të punës;
-Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat deri në moshën 25 vjeç;
-Mbështetje financiare për deri në 50 studentë dhe kredi të lehtësuara për nisma të reja biznesi.
5. Për gratë sipërmarrëse:
-Zero tatim për vitin e parë të biznesit;
-Subvencionim i sigurimeve shoqërore për muajt e parë;
-Kredi të buta dhe një fond i dedikuar për mbështetjen e grave në biznes.
6. Ulja e TVSH-së në 15%, shfuqizimi i taksës 3% për strehimin social, taksa të ulura për infrastrukturën, energjinë elektrike dhe karburantet – për të ulur koston e jetesës dhe për të rritur konkurrueshmërinë e prodhuesve vendas.
7. Rimbursim në kohë i TVSH-së, mbyllje e sistemit të gjobave arbitrare dhe krijimi i një Fondi për Mbrojtjen e Eksportuesve Shqiptarë.
8. Subvencione për teknologji dhe dixhitalizim – për të rritur produktivitetin dhe për të fuqizuar kompanitë shqiptare në tregjet ndërkombëtare
Ky është një program për ata që duan të punojnë ndershmërisht. Për ata që duan një shtet që mbështet, jo që pengon. Për ata që kanë një ide, një ëndërr, një nismë, por nuk kanë pasur kurrë një shans real. Ne u japim atyre një mundësi të drejtë dhe të barabartë.
Prandaj, më 11 Maj, votoni për punën, për zhvillimin, për dinjitetin dhe për Shqipërinë madhështore. Votoni numrin 1. Votoni Partinë Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Votoni Ilir Metaj në Qarkun Tiranë”.