Me rastin e 5 Majit, njëmbëdhjetë bij e bija të fshatit Vajzë në Vlorë, që ranë në periudha të ndryshme historike, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit kombëtar u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”. Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili mori pjesë në ceremoninë e nderimit, tha para pasardhësve të dëshmorëve, përfaqësuesve të institucioneve dhe banorëve të zonës se, kjo nuk është thjesht një ceremoni nderimi, por një akt i drejtë moral dhe historik.
Sipas ministrit Vengu, “shpallja e 11 bijve të fshatit Vajzë ‘Dëshmorë të Atdheut’ është një borxh, që historia u ka atyre që nuk jetojnë më e që jetën e tyre nuk e lanë në rehati, por formësuan rezistencë, u bënë ballë sfidave të mjegullta të kohës që jetuan dhe dhanë frymën e fundit kurorëzuar me simbolin e atdheut”.

“Këtu në Vajzë, çdo pëllëmbë tokë është dëshmitare e përpjekjeve të përgjakshme për lirinë dhe dinjitetin. Është një truall ku trimëria ka gjetur imazhin e vet ndër breza. Një copëz hartë Shqipërie e munduar nga luftërat, ku hasim një përqendrim të pazakontë trimash”, – theksoi më tej, ministri Vengu.
Ministri i Mbrojtjes nënvizoi se, “Dhënia e statusit të ‘Dëshmorit të Atdheut’ për njëmbëdhjetë të rënë të periudhave të ndryshme historike, sot është një premtim ndaj së shkuarës dhe historisë, për më tepër një përgjegjësi e re përballë sfidave, që koha na dikton. Obligimi ynë nuk mund të fillojë dhe të mbarojë te lapidarët apo certifikatat, por shumë më tepër se kaq. Është një stafetë brezash. Vetëm kur flamuri krenar i dëshmorëve tanë të valojë si i barabartë mes të barabartëve në selinë e Bashkimit Evropian, do të ndjejmë veten të lehtësuar nga ky detyrim i yni ndaj këtij trualli dhe dëshmorëve tanë, për të qenë në lartësinë e idealeve të të rënëve dhe për të çuar më tutje amanetin e tyre për Shqipërinë”.
Ministri Vengu shprehu mirënjohje dhe respekt për kontributin e paçmuar të të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për atdheun, duke theksuar se, “kujtimi i tyre të jetë bekim i brezave që do të vijnë”.
Në nderim të Ditës së Dëshmorëve, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA gjenerallejtënant Arben Kingji zhvilluan homazhe pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, si pjesë e ceremonisë shtetërore, ku të pranishëm ishin presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, drejtues të pushtetit vendor dhe pasardhës të të rënëve në luftën për çlirimin e vendit.