32 episode të transferimit të miliona eurove nga Italia në drejtim të Shqipërisë janë dokumentuar nga SPAK dhe antimafia italiane për grupin kriminal të ‘Visit të Pojës’. Deri në 332.500 euro dhe 2240 franga zvicerane shkonte tranferta më e madhe, e cila është bërë në korrik 2020 përmes ‘Firenze Lines’.

Çdo detaj i transfertave organizohej përmes komunikimeve në SKYECC, ndërsa ndiqej rrugëtimi nga persona përgjegjës, të vendosur nga grupi i Elvis Doçit. Sa për transportimin e mbi 332 mijë eurove, ato janë pritur nga Orgest Shqevi, i treti në hierarkinë e grupit kriminal të ‘Visit të Pojës’.

SPAK thotë se nga analiza e komunikimeve në aplikacionin SkyECC, ka rezultuar. metoda e transferimit të parave është bërë nëpërmjet rrugëve informale të transportit për të anashkaluar kontrollet zyrtare doganore. Sipas prokurorisë besimi i ndërtuar ndërmjet shoferave të identifikuar të autobusëve dhe përzgjedhja pikërisht e tyre, nga pronarët e parave ka qenë pika thelbësore e funksionimit të kësaj metode. Ata në mënyrë të vazhdueshme kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin për transferimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal. Kjo marrëdhënie është e bazuar në një ekuilibër të përfitimit reciprok, pasi dhe shoferat marrin një përqindje të caktuar për transportin e parave dhe rrezikut që të dy palët marrin përsipër. Nga episodet e zbardhura janë rreth 3 milionë euro paratë e transferuara, të cilat kanë mbërritur pa probleme në duart e trafikantëve në Shqipëri.

Një detaj i veçantë në dosjen e SPAK për grupin e ‘Visit të Pojës’, i cili i shpëtoi arrestimit gjatë operacionit “ura” në bashkëpunim me antimafien e Barit, është episodi që flet për transferimin e parave përmes një metode të quajtur Hawala”.

Një transferim prej 505,650 dollarësh amerikanë, që do të shkonin drejt amerikës së jugut për të paguar blerjen e një ngarkesë prej 500 kg kokainë në Guajakil të Ekuadorit, që do të trafikohej drejt Evropës.

Skema (në anglisht) si funksionin transferimi “Hawala”

Tranferimin e 505 mijë dollarësh ia kërkon vetë Elvis Doçi i cili i shkruan Artan Sulejmanit.

“…tani të dal direkt në temë, mos të lodh. Kam një mik që po ngarkon gjëra nga Ekuadori. Ka bërë disa punë këtë periudhë dhe është i interesuar edhe për aty në Valenca… me çanta nuk bëhet?”.

Pas shumë komunikimesh, më 24 shkurt 2021, Artan Sulejmani dyshohet se ka realizuar transfertën, që është dërguar drejt Amerikës së Jugut dhe janë marrë fizikisht nga “Nino” që sipas hetimeve është Juxhin Drazhi. Transferta është bërë përmes një agjencie këmbimi valutor në Vlorë. Në këtë episod dyshohet se është përfshirë edhe Nexhmedin Danaj, pronar i televizionit kabllor “Vlora Cable”, që tashmë është vendosur nën sekuestro./WEBLAJM