Pas një muaji intensiv, me takime me qytetarë dhe diskutime, Partia Socialiste mbyll këtë të premte fushatën elektorale, në fushën e blertë pranë Parkut Olimpik.

Më pjesëmarrjen e mbështetësve, ku miting është shoqëruar me shumë ngjyra, nuk kanë munguar në nisje të takimit edhe muzika, ku ndryshe nga takimet e kaluara, këtë mbrëmje ka qenë e pranishme këngëtarja Elvana Gjata.

Pas fjalës së kandidatëve socialistë në Tiranë, fjalën e mori kryeministri Edi Rama.
Në takimin përmbyllës kryeministri Edi Rama falënderoi qytetarët për mbështetjen duke falënderuar edhe skuadrën e tij për punën e arritur.

“Vëllezër dhe motra ju këtu shokë dhe shoqe, të ardhurave nga Tiranë që ne PS e nxorëm nga gërmadha në vitet ’90 dhe më pas e rilindëm për Shqipërinë europiane, ju jam mirënjohës për praninë tuaj në këtë fushë. Dhe u rikthyen këtu, e gjithë skuadra e Tiranës, në kulmin e një tjetër rrugëtimi 4 vjeçar ngjitjeje, drejt majës ku ndodhet Shqipëria e Europës së Bashkuar.”, tha kryeministri Rama, duke shtuar: “Kur ju më zgjodhët për të udhëhequr ajo majë ishte e paarritshme për shqiptarët ndërkohë që ne ishim të shembur përtokë, ëndrra jonë nisi nga një mjegull e një disfate të rëndë”.