Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka folur sonte lidhur me zgjedhjet e 11 majit. Ajo ka theksuar se opozita do të nisë një betejë të re institucionale dhe politike, si në Tiranë, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, për të denoncuar problematikat e këtij procesi.

Deputetja demokrate tha për Euroneës Albania se brenda dy javësh në Parlamentin Evropian do të zhvillohet një debat i posaçëm mbi zgjedhjet në Shqipëri.

“Tani është koha që opozita të bëjë betejën për zgjedhjet. PD do përdor edhe platformën e Parlamentit por edhe çdo platformë tjetër për debat publik por sot ne nuk mund të sillemi sikur ska ndodhur asgjë”, shton deputetja e PD-së.

E pyetur nëse do të ishte e gatshme të kandidonte për kryetare të Bashkisë së Tiranës, Tabaku tha se është aktualisht deputete në Parlamentin e Shqipërisë dhe se çështjet e kandidaturave janë vendime të brendshme të PD-së.

“Unë kandidova për deputete në Parlamentin e Shqipërisë dhe jam deputete në Parlamentin e Shqipërisë pastaj gjërat e tjera të mëdhaja janë diskutime që si takojnë as medias, se çfarë bën Partia Demokratike.”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, Tabaku theksoi gjithashtu se procesi i integrimit europian mbetet një forcë e rëndësishme ndryshimi, ndërsa tha se edhe hapësira parlamentare duhet përdorur për këtë.

“Këto ishin zgjedhjet e para ku Shqipëria kishte hapur negociatat dhe kisha shpresuar që Qeveria të kishte një sjellje tjetër. Kjo për hir të vullnetit politik që duhet të ketë për procesin e imtegrimit që kësaj radhe sjellja të ishte ndryshe, kësaj radhe ishte më keq se çdo herë tjetër. Nëse ka një forcë që mund ta ndryshojë edhe procesin zgjedhor edhe luftën ndaj krimit të organizuar por dhe çështje të tjera, është forca që ka procesi i integrimit. Është e nevojshme që hapësirën parlamentare ta përdorim për këtë. Këtë e arrijmë duke ushtruar kontrolle për zgjedhjet por dhe për të gjithë problematika të tjera”, tha Jorida Tabaku.