Nga Minella Aleksi/

Sa herë shkoja në shtëpinë e një shoku shkodran gjithmonë më shkonin sytë te një “figure” shënjti e vendosur mbi oxhak. Në porcelan të bardhë, me kokën të përkulur pak majtas, një shprehje fytyre me një thellësi paqe të brëndshme dhe të qëndrueshme, pasojë e një jete të jetuar në bashkim me zotin. Shoku me një vështrim hokatar, me buzët e shtrënguara që ndrydhnin buzëqeshjen, më pëshpëriste: qëndro pak më shumë para saj se kënaqet nana.

“Figure” jo në allçi e as në porcelan, dishepull prej mishi e kocke, A. Gjekmarkaj gjithmonë me qafën e ngurtësuar, që lehtësisht kokën majtas ia përkul, mishëronte paqe të brendëshme me tepri që, bota reale nuk mund t’a japë. Paqe qe ai e derdh në zemrat e hapura e të prirura që e shohin, e që i ndihmon të kapërcejnë telashet me të cilat përballemi të gjithë. Përpara kamerave, në foltore, me mikrofon apo me çadër në dorë, kurdo që ka njerëz përrreth, madje edhe kur rastësisht gjëndet në ndonjë takim simpatizantësh dhe orkestra krejt rastësisht, të fton të kërcesh mes militantësh e militantesh trup e bel dredhura, i tundet i gjithë trupi, krahët e ndera në drejtim çelestial, fytyra e tij gjithmonë ajo e një “figure” allçie mbi oxhak, që me qepallat gjysëm të mbyllura duket sikur thotë: “Zot, më bëj një instrument të paqes sate”.

Mishërim i prekshëm i qëndrueshmërisë së shenjtëve. Asnjëherë me fytyrë të trishtuar. Nuk kam dëgjuar ndonjë mëkatar të PD-së që, të humb besimin te paqja hyjnore reflektuar në fytyrën e Gjekmarkajt. Me energjinë e saj qiellore të mbështjellë në krahët e mbivendosur teatralisht mbi bark, alla Duçe, ajo dallon si paqja e “Markës Gjekmarkaj”, që me fuqinë e misionarit të dritës kundër errësirës ribashkon pjesët e shkëputura të trupit nga mëkati. “Marka Gjekmarkaj” e paqes së brendëshme është nga më të vyerat për “Princin e paqes”. Sa herë ndjen dhe prek pjesë të shkëputura mes mëkatarëve, dishepulli vihet në lëvizje. Jo për të çliruar veten nga pritshmëria e Misionarit, jo për për tu rikthyer te vetja, jo për të gjetur forcën unike të respektit për veten.

Dy ditë më parë e pamë Gjekmarkajn në funksionin e tij madhështor me deduksione paszgjedhore, “një reflektim i shkurter mbi pasojat e zgjedhjeve, krizën e demokracisë dhe figurën e Sali Berishës” Shkruante: “E vetmja akuzë që mund t’i bëhet Berishës sot, është se nuk e çoi Shqipërinë drejt përplasjes me hunj e sfurqe. Ai e urren dhunën…”. Berisha, “Princi i Paqes” kish frekuentuar shumë vite jetën e Bllokut. Kish kuptuar mekanizmin e krijimit të dishepujve. Vet Byroja e Enverit ishte një model i pastër imitimi. Kish mësuar se, dishepujt janë “të punuar me dorë, jo të prodhuar në masë”. Prandaj Ramizi i kish thënë një javë para lënies së zyrës, projekto dhe mirato modelin tënd të bërjes së dishepujve, që të jetë i thjeshtë, efektiv dhe i riprodhueshëm. Gjatë modelimit dishepulli mëson duke imituar sjelljen dhe vlerat e modelit të vet. Parimet e modelimit psikologjik të dishepullit janë të njëjtat për të gjithë kandidatët, ndërsa zbatimi dhe përvetësimi i tyre është në varësi të kontekstit kulturor. Kjo shpjegon pse rreth “Princit të paqes” kemi larmi modelesh dishepujsh meshkuj e femra të tipeve të ndryshme.

Agronit në proçes modelimi Berisha i kujtonte se në kohën e komunizmit koha e përgatitjes së një dishepulli ishte 5-7 vjet. Ramizi, misionar në veprim i shpjegonte se miqtë tanë të përbashkët këtë metodë e quanin bërja e dishepujve në një botë sfiduese sipas modelit “custom made” ose “bërë me porosi” sipas specifikave të porositësit. Kushton më shumë, kalon shumë prova, është kontigjent për raste speciale, sipas përvojës së NATO-s “i caktuari për të mbijetuar”. Krijonin një grup 3-5 veta, gjithmonë 1-2 të gjinisë femërore. Këta quhen “dishepujt që përshtaten”, me kontakte strikt personale gjatë sëtrëvitjeve të formimit, me protokollet e qarta të distancimit social.

Mua s’më pret puna, mendonte misionari Berisha. Do e filloj me programe 4 vjeçare, aq sa një legjislaturë. “Po ky është stili i partisë tonë të punës” i tha një zë i brëndshëm Saliut. Ti ke për t’a kapur shpejt situatën, je “i caktuari për të mbijetuar”. Një dorë e hekurt në krye dhe një grusht njerëz të fortë për ata poshtë. Metaforikisht njëlloj është, sikur “më gëlltit mua”, i tha Saliu dishepullit Gjekmarkaj në takimin e parë. Dhe më pas pjesë të veçanta të karakterit tim, i vë në përdorim ose më saktë “i vjell” sipas situatave speciale. Rrezaton fuqishëm paqe, asnjëherë fytyrë trishtuar.

Në situatën aktuale me shkëputje të pritëshme mëkatare brënda familjes së tyre politike, në shkrimin e tij paszgjedhor Dishepulli Gjekmarkaj na kujton se Berisha nuk e çoi Shqipërinë në përplasje me hunj e sfurqe. Se përplasjet Veri-Jug nuk janë në filozofinë e tij dhe të PD-së. Na tregon se Ai, ka alergji nga përplasjet. Bie në “shok anafilaktik” vdekjeprurës. Si President vetëm një herë në jetën e tij i ka ndodhur, fat i tij që truproja ishte “mjek i kristaltë” dhe i dha ndihmën e parë në karrigen e presidentit. Kur s’bëhet fjalë për përplasje me hunj e cfurqe, mjetet e tjera si varre për thyerje dyersh të blinduara, lëndë lotuese, avionë bombardues, flakëhedhëse, bombardim urash apo presidence, të ashtuquajtura krime, etj etj,.janë gjëra të rënda për humanizmin dhe empatinë karakteristike berishiane. Këtu Gjekmarkaj bën një pauzë dhe për momentet aktuale vazhdon:“Demokracia në koma, integrimi në hije! Individi nën trysni!”.

Këtë konstatim mirë do ishte të mos e përmendëte sepse të parat ishin mediat e rëndësishme perëndimore që e përshkruan gjatë. Jo vetëm Demokracia shqiptare në koma, por rreth 30 kryetarë shtetesh europiane e ca më tej, u gjëndën në gjëndje tronditëse sapo vunë këmbë në aeroportin me emrin e madh “Nënë Tereza”. Menduan se e hodhën prapa krahëve “Sorosin” famëkeq, por atë ua risolli në mend për të mirën e tyre Princi ynë i Paqes, Sali Berisha. Humanisti, patrioti i lavdishëm dhe demokrati Sali i urdhëroi burrat e shteteve që t’a hedhin në koshin e plehrave narkokriminelin që drejton qeverinë shqiptare. “Grupi i të pestëve” Gjekmarkaj, Alizoti, Këlliçi, Harxhi, Vokshi presim të na thonë se kur mund të ndodhë hedhja e Edit në koshin e plehrave. “Non Grata” që ua griu mëlçinë, është shtyrë në një të ardhme “të afërt-pa afat”. Dishepulli:”Berisha është baluardi i fundit. Demokracia do të rikthehet mbi qëndresën dhe vizionin e tij! Nuk kemi nje tjeter per krahasim! Ndjesë!” Këto fjalë dalin nga goja e një profesori letërsie. Në Shqipëri është gjë mjaft e bukur të dëgjosh opinione të tilla për njerëz dhe politikanë të pa zëvendësueshëm. Që duhet të qëndrojnë në vëndet e punës deri në prag të vdekjes. Të gjallë t’i sjell në mënd byroistët e Diktatorit Hoxha. Vazhdon Gjekmarkaj në artikull: “Një fitore pa virtyte”.

Jeta e tij është në përmbushje të një misioni të madh dhe si misionar ai do të qëndrojë i paepur, derisa i Plotfuqishmi t’a thërrasë. Si misionar i kombit misioni i tij është t’u shërbejë njerëzve për krijimin e kushteve të mira për arsim, drejtësi, kujdes shëndetësor dhe zhvillim ekonomik. Në arsim nën misionarin Berisha të gjitha pasqyrat u kthyen në dritare dhe moshat e reja nga mëndjezbrazët u kthyen në mëndjehapur. Në drejtësi nën misionarin të drejtat e barabarta para ligjit, loja e ndershme dhe verbëria e gjykatësit ishin si ajri, të gjithë e kishim ose s’e kishim. Në ekonomi misionari ….. Ëndrrat e natës na u shtuan, gjatë ditës i shihnim me sy hapur. Pak parcela miell në Lazarat mbanin gjithë vëndin në majmëri. E të tjera, e të tjera, këndonte një poeti ynë i dashur në parlament. Vëndi ynë i bukur, është fidanishte dishepujsh, djathtas e majtas, siç pëlqejnë të vetquhen pa qënë të tillë. Ata piqen dhe rriten në këtë fidanishte, nga një fazë zhvillimi në tjetrën, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e brezave, që ata përfundimisht të mund të dishepullojnë të tjerët.

Janë të vetëdijshëm se nuk mund t’a bëjnë të vetëm, Ju duhet një tribu ose një rrjet njerëzizh dishepullimi për t’i ndihmuar. Te ne për metër katror janë të shumtë. Nuk e di nëse do vij një ditë kur, ndryshe nga kolegu i tij M. Marku , dishepulli Gjekmarkaj do gjej fuqi karakteri që t’u jap studentëve porosinë : “Asnjëherë mos e shkelni shenjtërinë e vetërespektit tuaj individual”.