Pas lajmit të publikuar në disa media se në treg kanë qarkulluar 4 ton fileto derri të kontaminuara me salmonelë, ka reaguar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Në një deklaratë zyrtare, AKU e cilëson lajmin të pavërtetë dhe thotws se sasia prej 4516.75 kg mish derri e importuar nga Brazili është bllokuar që në janar pas rezultatit të analizave.

Sipas institucionit, mishi ka qëndruar i bllokuar në magazinë deri më 16 prill, kur është bërë kërkesa për asgjësim.

AKU thekson se procesi është ndjekur nga të gjitha autoritetet përkatëse dhe asnjë sasi nuk ka hyrë në treg.

Njoftimi i AKU-së:

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të informimit të publikut dhe transparencës, shpreh shqetësimin për përhapjen e lajmeve të pavërteta në media dhe portale në lidhje me sigurinë ushqimore. AKU sqaron opinionin publik se sasia prej 4516,75 kg fileto mish derri e importuar nga Brazili është bllokuar më 28.01.2025, pasi analizat treguan prani të salmonella spp. Mishi ka qëndruar i bllokuar në magazinat e subjektit importues deri më 16.04.2025, kur është kërkuar asgjësimi nga autoritetet kompetente. Sasia është asgjësuar në prani të përfaqësuesve të institucioneve përkatëse. AKU siguron konsumatorët për angazhimin maksimal në garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.”