Kandidati i koalicionit opozitar PD-ASHM në qarkun e Tiranës, Tedi Blushi, në një intervistë për “News24” foli për atmosferën e fushatës elektorale të 11 majit, teksa theksoi se pavarësisht sfidave, koalicioni është më i bashkuar se kurrë.

Blushi u ndal veçanërisht te situata e presidentit të PL, Ilir Metës, duke e përshkruar atë si një figurë që vazhdon të frymëzojë përkrahësit edhe në kushte izolimi.

“Ilir Meta po bën fushatë në kushtet e një izolimi ekstrem, duke komunikuar përmes letrave me mbështetësit e tij. Ai e ka kthyer qelinë në një llogore kundër regjimit dhe sakrifica e tij është një frymëzim për të gjithë mbështetësit e Partisë së Lirisë,” deklaroi Blushi.

Sa i përket deklaratave të fundit të Monika Kryemadhit kundra tij, Blushi zgjodhi të qëndronte më indiferent.

“Nuk dua të komentoj asnjë lloj provokimi, sidomos në ditët e fundit të fushatës. Kush jam unë, e dinë të gjithë, dhe jetesa ime është modeste. Fushata jonë do të kurorëzohet me një fitore madhështore”, tha ai.