Votat e grumbulluara nga Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti, i siguruan Koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike, 3 mandate në zgjedhjet e 11 majit, por vetëm, njëri prej tyre, do mund të hyjë në parlament. Nga 13 deputetë që opozita arriti të sigurojë, 12 janë në listën e mbyllur. E 13 është Jorida Tabaku. Ndërsa Alimehmeti që e pason, mbetet jashtë.
Qartazi të padëshiruar nga kupola e PD-së, ata u hodhën në fushën e betejës, në listat e hapura, pavarësisht se në primaret ishin renditur ndër të parët për mbështetjen mes bazës demokrate.
Ndërsa vijon numërimi i votave të diasporës, të dy së bashku, (Tabaku me mbi 20 mijë vota dhe Alimehmeti me pak më pak se 18 mijë) ata morën gati 25 përqind të totalit të mbështetjes që opozita arriti të sigurojë në kryeqytet.
Mbi 38 mijë votat e tyre janë gati sa çkanë grumbulluar 22 kandidatët e tjerë (nga 37 në total) të renditur nga fundi i listës së hapur. Ndërsa 13 kandidatët e tjerë, grumbulluan gjysmën e mbetur të votave.
Në listën e sigurt, PD i dha 1 të tretën, ose 4 mandate aleatëve, 2 Partisë së Lirisë, një Partisë Republikane dhe një PDIU-së.
Por të treja këto forca, përmes përfaqësuesve të tyre në listat e hapura, nuk arritën as në 14 mijë vota (mbi 4 mijë vota më pak se Alimehmeti, dhe mbi 6 mijë vota më pak se Tabaku).
Partia Demokratike u paraqit me një tren aleatësh në zgjedhje. Por në Tiranë, të gjithë së bashku, nuk arritën të grumbullonin as sa votat e Tabakut dhe Alimehmetit. Madje janë diku te 7 mijë vota më pak se ata të dy.
Aleatët në listat e hapura
Rivelino Çuno PEISH 493 vota
Petrit Doda. PLL 4716 vota
Mhill Gecaj. PLDK 3415 vota
Altin Goxhaj. Aksh 1919 vota
Shpëtim Idrizi PDIU 1969 vota
Albi Jahelezi PR 3741 vota
Ilir Meta PL 7900 vota
Elton Roshi PAA 5409 vota
Sali Shehu Frd 1470 vota
TOTALI 31.032 (vota deri në orën 14:30)
(Shqiptarja.com)