Ilir Alimehmeti, kandidati i listës së hapur në Tiranë që doli i dyti pas Jorida Tabakut me mbi 18 mijë vota, ka qenë i ftuar në Report TV, ku ka dhënë komentet e tij të para pas përfundimit të procesit të numërimit.

I pyetur nëse ka pasur komunikim me Berishën, pas rezultatit të marrë, Alimehmeti është përgjigjur shkurt.

“Është shprehur vetë publikisht, kështu që nuk ka nevojë. E falënderoj për qëndrimin shumë korrekt”-ka thënë Alimehmeti.

Ai theksoi se e konsideron këtë rezultat një shprehje të qartë të vullnetit qytetar.

“Unë besoj shumë te demokracia nga poshtë lart. Kanë folur njerëzit shumë qartë. Njerëzit e dinë shumë mirë se cila është e duhura”-tha Alimehmeti.

I pyetur nëse është kontaktuar nga ndonjë prej kandidatëve të listës së mbyllur, Alimehmeti tha se është kontaktuar me disa prej tyre.

“Herë pas here po. Por ne duhet të shohim pjesën e madhe. Në këtë sistem elektoral mendoj unë dalin të gjithë të humbur. Jo vetëm kandidatët, por edhe njerëzit. Sepse sistemi është bërë gjithnjë e më i fallco dhe i largon të zgjedhurit nga zgjedhësit”-tha Alimehmeti.

Në emision, Alimehmeti përsëriti angazhimin e tij për demokracinë e drejtpërdrejtë.

“Unë kam qenë mbështetës i demokracisë së drejtpërdrejtë, ajo që kemi pasur 20 vjet më parë. Kam për borxh të ngre zërin tim, sepse është zëri i njerëzve. Më pyesin, ‘a je deputeti i zonës?’ Sepse ka shumë rëndësi ky fakt. Mazhoritari, për shembull, prodhonte një sistem më të fortë. Ky sistem i tanishëm u ka hequr njerëzve përfaqësuesin”-tha Alimehmeti.

Nga ana tjetër sa i përket të ardhmes në PD, Alimehmeti kërkoi reflektim nga drejtuesit.

“Unë kam hyrë në parti në prill të 2022-shit. Këto vendimmarrje janë bërë më përpara. I takon kryesisë së partisë dhe kryetarit të mblidhen bashkë, të bëjnë analizat dhe vendimet përkatëse. Mendoj se do të ndodhë shumë shpejt pas zgjedhjeve”-tha Alimehmeti.

Në fund Alimehmeti kishte dhe një mesazh dhe për Tabakun dhe për votat e tij:

“Po e përgëzoj meqë mu dha rasti dhe shpresoj të bëjë punën e saj. Ama ka një problem këtu me perceptimin. Ky është gabimi i këtij sistemi. Ne garën e kemi me kundërshtarin politik, por ky sistem na bën të konkurrojmë nga brenda vetes dhe rrudhemi. Votat e mia janë bio.”