Martin Scorsese ka prodhuar një dokumentar emocionues i cili përfshin intervistat e fundit të Papa Françeskut, duke eksploruar filozofinë e tij mbi dashurinë dhe konfliktet njerëzore. Para vdekjes, Ati i Shenjtë e përshkroi dokumentarin si një projekt poetik dhe konstruktiv, që kap thelbin e jetës dhe shoqërisë njerëzore. Ende nuk ka një datë zyrtare publikimi, por tashmë konsiderohet një testament për trashëgiminë e tij.
Dashuria është falas ose nuk është dashuri fare.

Ky është një ndër dhjetëra mesazhet që Papa Françesku ka lënë pas në intervistën e tij të fundit. Martin Scorsese, regjisori i njohur i kinemasë botërore, ka sjellë një dokumentar të ri emocional dhe thellësisht reflektues, i cili përfshin pikërisht këtë seri bisedash me Papa Françeskun dhe siç theksojnë autorët e filmit daljen e fundit të thelluar para kamerës të Atit të Shenjtë.
Dokumentari titullohet “Aldeas – Një Histori e Re” dhe është frymëzuar nga puna e Scholas Oçurrentes, një lëvizje edukative ndërkombëtare që Papa Françesku e themeloi në vitin 2013, me synimin për të ndërtuar të ashtëquajturën “kulturën e Takimit” një filozofi që nxit dialogun, mirëkuptimin kulturor dhe bashkëjetesën mes të rinjve nga mbarë botën. Dokumentari paraqet gjithashtu iniciativën Aldeas, një projekt që inkurajon të rinjtë nga vende të ndryshme të krijojnë filma të shkurtër që reflektojnë përvojat dhe sfidat e tyre, si dhe mënyrat për të ndërtuar ura ndërkulturore.
Pjesë e veçantë e dokumentarit është edhe një intervistë e gjatë me Papa Françeskun, e realizuar nga vetë Scorsese, në të cilën Papa reflekton mbi jetën, dashurinë, konfliktet dhe rëndësinë e lidhjes njerëzore.
Në një moment emocional, Papa thotë: Të qarit përballë padrejtësisë është njerëzore. Lotët e zbusin zemrën, e hapin atë.
Krijuesit e filmit thanë se para se të ndërronte jetë, Papa Françesku e përshkroi dokumentarin si një projekt jashtëzakonisht poetik dhe shumë konstruktiv, sepse shkon në rrënjët e asaj që është jeta njerëzore, shoqërueshmëria njerëzore, konfliktet njerëzore thelbi i udhëtimit të një jete.
Dokumentari ende nuk ka një datë zyrtare publikimi, por që tani konsiderohet si një testament i fuqishëm për trashëgiminë dhe filozofinë e Papa Françeskut, i sjellë përmes gjuhës së fuqishme të filmit nga një prej zërave më të njohur të kinemasë botërore.
Ati i Shenjte ndërroi jetë këtë muaj, në moshën 88-vjeçare, dhe u varros të shtunën e kaluar, duke lënë pas një trashëgimi të pasur shpirtërore dhe sociale.
Vdekja e tij ka shënuar një moment të rëndësishëm për Kishën Katolike, ndërsa pritet që së shpejti të fillojë Konklava, ku kardinalët do të mblidhen për të zgjedhur Papën e ri.