Ambasada Amerikane në Tiranë ka dhuruar pajisje për sistemin penitenciar në Shqipëri. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose ka pritur Zv/Shefen e Misionit në Ambasadën Amerikane në Tiranë znj. Kathryn Hammond së bashku me delegacionin nga Uashington.
Në fjalën e tij në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve për rritjen e sigurisë në burgje, Qose siguroi se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi penitenciar, më të drejtë, më të fortë dhe profesional në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ai theksoi se përmes rekomandimeve të dhëna nga autoritet monitoruese është nxitur llogaridhënia e institucioneve, është rritur përgjegjshmëria për kryerjen e detyrave funksionale duke krijuar premisa për riintegrimin e të burgosurve.
“Implementimi i një politike të drejtë menaxhuese, marrja e përgjegjësive për ekzekutimin e vendimeve penale duke ruajtur balancën mes sigurisë dhe trajtimit human të shtetasve në konflikt me ligjin, janë elementë thelbësor mbi të cilën kemi konsoliduar qasjen tonë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vlerëson fort marrëdhënien me një partnerë të tillë strategjik si qeveria e SHBA.
Në thelb të këtij bashkëpunimi qëndrojnë dy programe strategjike të qeverisë së SHBA, të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në reformimin dhe profesionalizimin e sistemit penitenciar”, deklaroi Qose.