Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) ka mikpritur për herë të parë në Tiranë Konferencën e Pranverës të Aleancës së Agjencive Evropiane të Lajmeve (EANA), me temë “Kërcënimet ndaj gazetarisë & Agjencitë e lajmeve & Mjetet për t’u mbrojtur”, që po zhvillohet në Hotel Plazza.
Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa si dhe drejtori i lajmeve për Evropën dhe Afrikën në ”Associated Press”, James Jordan, hapën punimet e Konferencës ku marrin pjesë drejtues dhe përfaqësues nga 32 agjenci evropiane të lajmeve nga Franca, Gjermania, Italia, Greqia, Finlanda, Kroacia, Ukraina, Spanja, Turqia, Serbia, Çekia, Azerbajxhani, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Suedia, Norvegjia, Bullgaria e tjerë.
Në nisje të konferencës u transmetua një video promovuese për Shqipërinë turistike.
Në fjalën e saj, drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa tha se përfaqësuesit e agjencive të lajmeve që ndodhen sot këtu përbëjnë zemrën e informacionit të besueshëm në kontinentin tonë, por dhe më gjerë.
Zhupa u ndal te sfidat me të cilat përballet sot gazetaria dhe agjencitë e lajmeve, si dhe nevojën për veprim të përbashkët në një mjedis informuese që po ndryshon me ritme të shpejta.
Ajo bëri thirrje për forcimin e verifikimit të fakteve dhe transparencës, si mjete thelbësore për të mbrojtur integritetin e lajmit.
“Sot gazetaria dhe agjencitë e lajmeve përballen me një mjedis më sfidues se kurrë më parë. Nga dezinformatat që qarkullojnë në sekonda, tek presionet ekonomike, rënia e besimit dhe dominimi i platformave globale, të gjithë ne në këtë sallë e dimë se çdo ditë po na vihet në provë, misioni i madh i shtypit: të informosh në përputhje me parimet më të larta të humanizmit. Në fakt, ajo që na bashkon, është pikërisht fakti se asnjë agjenci serioze nuk mund ta përballojë vetëm këtë realitet”, theksoi ajo.
Zhupa vuri në dukje se “serioziteti i informacionit, shpejtësia e përhapjes së tij dhe saktësia e burimeve tona mbeten ende një busull për pjesën tjetër të medias, ku interesa të ndryshme ndërhyjnë deri për ta shpërdoruar informacionin dhe për të devijuar përmbajtjen e tij”.
Drejtoresha e ATSH-së renditi disa nga sfidat me të cilat përballen agjencitë e lajmeve në mbarë Evropën, por më të rëndësishmin, dezinformimin, duke e përshkruar si “një nga plagët më të mëdha të kohëve moderne”.
“Jetojmë në një kohë kur gënjeshtra qarkullon më shpejt se e vërteta dhe madje besohet në shumë raste, pa iu provuar burimet. Në një treg të mbingarkuar me burime anonime dhe të pa verifikuara, dallimi mes faktit dhe opinionit është zbehur dhe vazhdon të shpërfillë informacionin e vërtetë. Kjo është një sfidë për çdokënd që e merr seriozisht të vërtetën. Dhe ne e marrim. Ja pse verifikimi i informacionit dhe transparenca mbi burimet tona është në themel të punës sonë”, nënvizoi ajo.
Një tjetër temë e ndjeshme e adresuar nga Zhupa ishte shpërndarja e lajmeve të agjencive nga platformat e mëdha teknologjike.
“Platforma të mëdha teknologjike shpërndajnë lajme të prodhuara nga ne, pa garantuar shpërblimin e duhur. Për më tepër, shpesh këto algoritme favorizojnë përmbajtje emocionale, konfliktuale apo thjesht tentojnë të kapin sensacionin, kuptohet jo domosdoshmërisht të saktë apo të verifikuar. Këtu kemi nevojë për një zë të përbashkët dhe për zgjidhje të përbashkëta. Disa vende kanë nisur të negociojnë për modele të reja. Ne duhet të jemi pjesë e këtij diskutimi dhe të adresojmë shqetësime të vërteta”, tha ajo.
Duke u ndalur te pavarësia editoriale, Drejtoresha e ATSH-së u shpreh se: “në shumë vende, presioni nuk vjen drejtpërdrejt si censurë klasike. Vjen në mënyra më të rafinuara:. Dhe ky presion është po aq real, sa edhe ai i drejtpërdrejti, pasi lidhet me interesa grupesh interesi. Mbetet sfidë përfshirja e kanoneve të larta morale të gazetarëve dhe mbi të gjitha respekti për Urdhrin e Gazetarit”.
Zhupa vuri në dukje se besimi i publik është ndoshta sfida më e madhe që përballen sot mediat: “Për dekada, publiku besonte se lajmet që merrte nga agjencitë tona të lajmeve ishin të sakta. Sot, ky besim është zbehur, jo për fajin tonë të drejtpërdrejt, por si pasojë e një klime të përgjithshme, ku gjithçka po vihet në dyshim”.
Për të rikthyer këtë besim, Zhupa theksoi se nevojitet më shumë transparencë, komunikim më i hapur me publikun, si dhe vetëkritikë e vazhdueshme.
Më tej, në fjalën e mbajtur në Konferencë, Drejtoresha e ATSH-së, Valbona Zhupa evidentoi tre shtylla kryesore për të përballur shqetësimet e kohës përmes një gazetarie cilësore: bashkëpunim më të gjerë mes agjencive, investime në teknologji moderne si inteligjenca artificiale për verifikim faktesh dhe rritje të vizibilitetit të agjencive në debatin publik.
“Duhet të investojmë në platformat tona, në inteligjencën artificiale për të zbuluar lajme e rreme, në sisteme më efikase për menaxhimin e përmbajtjes, në aplikacione që i sjellin lajmet tona më afër qytetarit të zakonshëm. Ne duhet të jemi më të pranishëm në debatin publik. Jo vetëm përmes përmbajtjes që prodhojmë, por edhe përmes edukimit të publikut për rolin tonë. Shumë njerëz nuk e dinë ende se lajmet që lexojnë në media apo dëgjojnë në radio vijnë nga një agjenci lajmesh. Kjo duhet të ndryshojë, por edhe ne duhet të ushtrojmë autoritetin tonë që lajmet tona të jenë referencë për institucionet, publikun”, deklaroi Zhupa.
Në përfundim të fjalës, Zhupa theksoi nevojën që agjencitë e lajmeve të qëndrojnë të bashkuara dhe të ruajnë etikën profesionale në çdo kohë.
“Këto nuk janë kohë të lehta për gazetarinë. Por janë kohë me peshë të madhe historike. Sepse pikërisht në kohë të tilla, peshohet rëndësia e punës së madhe që bëjmë për publikun. Ne nuk kemi luksin të jemi as pasivë, as nostalgjikë. Por kemi fuqinë për të qenë të zgjuar, të përkushtuar dhe të bashkuar. Në këtë betejë, nuk ka më vende periferike apo qendra të mëdha. Çdo zë i përgjegjshëm ka rëndësi. Unë besoj fort që, nëse ruajmë etikën dhe respektojmë kanonet e gazetarisë së mirë, rrisim cilësinë dhe forcojmë bashkëpunimin, atëherë agjencitë e lajmeve do të jenë të pazëvendësueshme dhe gazetaria cilësore do të dijë të mbijetojë dhe të përballet me çdo krizë. Ashtu siç ka bërë gjithmonë”, përfundoi drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa.
Përmes disa paneleve, gjatë Konferencës do të trajtohen veçmas edhe çështje të tjera nga Tina Mari Flem, Drejtore Ekzekutive dhe Kryeredaktore e NTB-së, Peter Kropsch, Drejtor Ekzekutiv i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA dhe Kryetar i Komitetit të të Drejtave të Autorit të EANA-s, Nataliya Kostina, zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e agjencisë ukraine të lajmeve, Ukrinform, Aimilios Perdikaris, Drejtor Ekzekutiv i agjencisë greke të lajmeve, ANA-MPA, Hanspeter Kellermüler, Drejtor Ekzekutiv i agjencisë zvicerane të lajmeve, Keystone-SDA dhe nga Bilgehan Öztürk, menaxhere e Komunikimeve Strategjike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë agjencisë turke të lajmeve, Anadolu Ajansi.