Ministri i Shtetit, njëherësh dhe Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të opozitës për manipulime me votat e diasporës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla i cilëson këto reagime si “klithma të përfaqësuesve të kënetës”, që sipas tij, kanë nisur të ndërtojnë alibinë për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit.

“Na paskan ‘zbuluar’ një skandal të madh, se gjoja fletët e votimit janë hedhur rrugëve. Në fakt, alibia ka ditë që përgatitet me konferenca për shtyp, ndërsa sot shpërtheu me fotografi zarfe-sh në Facebook,” shkruan ai.
Sipas Ballës, procesi i shpërndarjes është realizuar nga KQZ në bashkëpunim me kompaninë ndërkombëtare DHL, pjesë e Deutsche Post. Ai thekson se shteti shqiptar ka paguar për shpërndarjen e fletëve të votimit në shtëpitë e qytetarëve që jetojnë jashtë dhe për rikthimin e tyre. Megjithatë, për shkak të disa vështirësive, një pjesë e votuesve janë detyruar t’i tërheqin personalisht zarfat në zyrat postare.
Postimi i plotë i ministrit Taulant Ballës:
Përfaqësues të kënetës sot në Shqipëri por edhe nga Athina, na paskan “zbuluar” një skandal të madh me zarfat e fletëve të votimit “se ato janë hedhur rrugëve”. Në fakt hartimi i alibisë së humbjes ka ditë që ka filluar me konferenca për shtyp nga këneta, por sot klithmat ishin dhe më të zëshme me deklarata urgjente për shtyp dhe postime në facebook mbi një fotografi me disa zarfe.
Procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit ju besua nga KQZ kompanisë postare më të madhe në botë, pjesë e Deutche Post. Shteti shqiptar ka paguar që zarfi t’i shkojë në shtëpi dhe t’i merret në shtëpi çdo votuesi jashtë Shqipërisë. Dhe kjo nuk ka ndodhur dhe qytetarë të shumtë janë detyruar të shkojnë ta tërheqin zarfin me fletën e votimit në zyrat e postës. Afro 10% nuk e kanë marrë ende për shumë shkaqe. Ky proces ka dhe 5 ditë (deri të premten, të paktën nga Greqia dhe Italia, DHL ka ende kohë të bëjë gjithçka për t’i sjellë në kohë.
Vetëm ama klithmat nga këneta duken qartë që s’kanë asnjë lidhje me procesin, por janë pjesë e skenarit për dosjen e “zezë” të zgjedhjeve të 11 Majit. Kjo dihet!
Motra dhe vëllezër në diasporë ju lutem nxitoni dhe bëni gjithçka ta nisni votën tuaj për Shqipërinë Europiane dhe ta thajmë përfundimisht kënetën megjithë buf, bretkosa, gjarpërinj e ç’ka brenda.