Në rrugën “Dritan Hoxha”, pranë Kompleksit “Karavan”, banorët e rinj po përballen me një problem të madh për vendet e parkimit. Kompleksi ka një zonë parkimi të jashtme, e cila është hapësirë e përbashkët për të gjithë banorët, por disa prej banorëve të vjetër kanë privatizuar vendet e parkimit duke krijuar “trekëndsha” parkimi, pa leje dhe në shkelje të rregullave.
Banorët e rinj, që kanë marrë banesat kohët e fundit, përballen me mungesë totale vendesh ku të parkojnë makinat e tyre. Shpeshherë kur ata parkojnë në hapësirat e përbashkëta, u kërkohet të lëvizin, pasi sipas banorëve të vjetër, ato vende janë “të tyre”. Madje, disa prej tyre parkojnë me më shumë se një makinë në një vend, duke pamundësuar çdo vend të lirë.
“Kam kërkuar ndihmë te policia bashkiake dhe kam bërë kallzim në njësinë nr.7, por deri tani nuk ka asnjë reagim,” tregon një banore e re, e cila shpreh shqetësimin për mungesën e zgjidhjes nga autoritetet.
Problemi i privatizimit të hapësirave të përbashkëta të parkimit nuk është i panjohur në qytet, por mungesa e ndërhyrjes nga institucionet e bën situatën të rënduar për banorët më të rinj dhe ata që nuk kanë mundësi të gjejnë vend parkimi në afërsi të banesës së tyre.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Tiranës për të rregulluar situatën dhe për të garantuar të drejtën e përdorimit të hapësirave të përbashkëta në mënyrë të drejtë dhe transparente.