Në kantierin e aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë po punohet me ritme të shtuara për të finalizuar këtë projekt të shumëpritur. Problemet e trashëguara me këtë projekt tashmë kanë marrë zgjidhjen e duhur, ndërsa synohet që kjo vepër të jetë e aksesueshme brenda verës së këtij viti.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, teksa inspektoi nga afër ecurinë e punimeve theksoi se “tashmë jemi në fazën finale, ku financimi është siguruar, ku të tria fazat e këtij projekti po ecin në mënyrë të konsiderueshme, duke qenë se jemi më shumë se 85% ecuri në të tre fazat e projekti”.

Gjurma e këtij aksi kalon përmes një terreni të vështirë dhe malor, ndërkohë që për shkak të motit punimet kanë avancuar me ritëm më të ulët. Tashmë me përmirësimin e kushteve atmosferike do të punohet me orare më të zgjatura. Zëvendëskryeministrja Balluku tha se për përfundimin në afatin e parashikuar në kantieret do të punojnë me dy turne.

“Brenda kësaj vere ne duam që të dorëzohet Qukës-Qafë Plloça, për këtë arsye unë kam folur me supervizorin dhe i kam kërkuar që ti qëndrojë në kokë diçkaje që është zgjidhja përfundimtare, krijimi i dy turneve operative që duhet të nisin nga herët në mëngjes dhe duhet të përfundojnë vonë në darkë, sigurisht duke plotësuar të gjitha kushtet e sigurisë në punë që është shumë e rëndësishme”, tha Balluku.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli bëri të ditur se mirëmbajtja dimërore e këtij aksi, i cili ndodhet në një lartësi të madhe, është një tjetër sfidë, por që tashmë ARRSH ka eksperiencën e duhur për të garantuar që qarkullimi të vijojë pa problematika edhe gjatë stinës së dimrit, ku kjo zonë është e njohur për reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat e ulëta.