Një ditë pasi anëtarët e opozitës në KAS bashkuan votat me PS për të rrëzuar kërkesat e kandidatëve të PD për rinumërim të votave preferenciale, edhe Sali Berisha u del kundër. Në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha tha se katër kandidatët demokratë ndoqën një rrugë pa mbështetje ligjore.
Pyetjes së gazetares së Report Tv, Danjela Maloku, Berisha iu përgjigj duke thënë se anëtarët e opozitës në KAS zbatuan ligjin. Kreu i PD tha se anëtarët nuk mund të votonin një akt që është hequr me ligj, një ndryshim i kodit zgjedhor në vitin 2019, i ka hequr të drejtën kandidatëve që të paraqesin ankesa dhe këtë mund ta bëjë vetëm subjekti politik.
“Në vitin 2019, një ndryshim i kodit zgjedhor, por e vërteta i mbështetur nga Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i, ka hequr të drejtën e kandidatëve që të paraqesin ankesa të kësaj natyre. Nuk ekziston ajo e drejtë nga viti 2019 e këndej për kandidatin. Komisioni i Venecias, ODIHR dhe kodi ynë, këtë të drejtë ua njohin subjekteve politike.
Subjektet politike investohen edhe për kandidatin. Këta kandidatë të nderuar kanë ndjekur një rrugë të këshilluar, nuk mund të them pasi përfaqësuesit tanë ua kanë bërë të qartë edhe interpretimin e thirrjes time, që duhet t’i bëjnë nëpërmjet partisë, por brenda platformës së miratuar nga partia. Në ç’kuptim? Në qoftë se partia ka kërkuar paligjshmërinë e zgjedhjeve, e para kërkesë që shqyrtohet është paligjshmëria. Pas kësaj, partia merr dhe paraqet një nga një kërkesat e kandidatëve.
Disa kandidatë që kanë kërkuar rinumërim i kanë depozituar pranë përfaqësuesve të partisë në KQZ dhe presin momentin e vlerësimit që partia ka për X qark dhe pastaj do paraqiten ankesat e tyre. Edhe për kandidatët e Tiranës, ata u informuan dje përsëri se rruga që kanë ndjekur është një rrugë që nuk ka mbështetje ligjore. Përfaqësuesit tanë në KAS kanë zbatuar ligjin. Ata nuk mund të votonin për një akt që është hequr me ligji”, tha Berisha.
Berisha thotë se ishin PD ishte e gatshme t’i mbështetëse ligjërisht, duke theksuar se ankesat e tyre mund t’i depozitojnë pranë përfaqësuesve të opozitës në KQZ.
“Këta të katërt kanë të drejtë të depozitojnë ankesën tanë pranë përfaqësuesve tanë në KQZ dhe ata do e paraqesin siç dëshirojnë kërkesën pranë KQZ-së. Pra, ka qenë vetëm një keqkuptim nga ana e tyre. Në qoftë se nga unë është thënë dy herë se çdo kandidat që mendon se i duhet transparenca, do mbështetet nga partia, duhet të respektojë këtë platformë që ka përcaktuar partia në përputhje me ligjin elektoral”, tha Berisha.