Nga Carlo Bollino

Sa më shumë Sali Berisha këmbëngul me strategjinë e tij të dëshpëruar për të maskuar realitetin, aq më shumë fundoset në rrjetën e gënjeshtrave të veta. Sot, “lajmi i madh” që klani i Berishës e kishte paralajmëruar prej muajsh, u reduktua në një tweet të postuar nga një gazetar amerikan, i cili pretendon se i ka drejtuar një pyetje Departamentit të Shtetit në lidhje me Sali Berishën dhe ka marrë konfirmimin se ai mbetet person ”non grata”. Por sipas gazetarit mund të bëhen përjashtime dhe mund jepet një vizë e posaçme për Berishën vetëm nëse kjo përputhet me detyrimet ndërkombëtare ose interesat e politikës amerikane.

Gazetari, i cili nuk tregon me kë ka folur në Departamentin e Shtetit dhe nuk paraqet asnjë dokument që konfirmon komunikimin, thekson se në përgjigjen e marrë, autoritetet amerikane kanë thënë se “ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara për individë të dezinjuar (si non grata dmth), në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare”. Dhe Berisha u kënaq me kaq! Kjo është si të ngatërrojë një të burgosur që përfiton një leje dyditore për të marrë pjesë në varrimin e një të afërmi, me një vendim pafajësie që e liron. Dhe për këtë leje (që për momentin duket vetëm si një opsion teorik) të kishte paguar 6 milionë dollarë.

Mjafton të konsultosh internetin për të zbuluar se SHBA-të kanë dhënë shpesh viza hyrjeje edhe për politikanë të tjerë të shpallur persona non grata, për të marrë pjesë, për shembull, në mbledhjet e Këshillit të Kombeve të Bashkuara apo në aktivitete të tjera që Departamenti i Shtetit i konsideron me interes kombëtar. Por këto leje nuk kanë asnjë lidhje me vendimin politik për të shpallur një politikan non grata. Nga këto leje kanë përfituar diktatorë nga e gjithë bota, të cilët gjithsesi kanë mbetur persona non grata.

Problemi në fakt nuk është nëse Berisha mund të paguajë një biletë avioni dhe të shkojë për një vizitë treditore në Shtetet e Bashkuara, por nëse mund ta bëjë këtë si qytetar i lirë apo jo. Dhe pikërisht postimi i gazetarit amerikan, i cili nëse e ka bërë vërtet atë pyetje vëtëm sot, e ka bërë qartësisht si pjesë e planit të lobimit të paguar me 6 milionë dollarë nga familja Berisha, e konfirmon saktësisht këtë: që Sali Berisha mbetet person non grata për Departamentin e Shtetit Amerikan. Ashtu siç mbetet non grata edhe për Mbretërinë e Bashkuar, një vend ku investimet prej qindra mijëra eurosh të paguara për lobime tashmë kanë dështuar.

Tani Sali Berishës nuk i mbetet veçse të presë 12 majin, për të zbuluar nëse i është hequr statusi i “non grata” nga vendi më i rëndësishëm prej të gjithëve: Shqipëria.