Berisha “mbolli’ Belerin në Greqi, s’mund të ‘korrë’ vota diaspore
Nga Jakin Marena
Kryetari i PD Sali Berisha si gjithnjë nuk është pajtuar me rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit të këtij viti, ku koalicioni Për Shqipërinë Madhështore” që ai drejtoi përsoi një humbje të thellë dhe ‘madhështore’ përballë mazhorancës.
Madje ishte një rezultat shumë poshtërues ky për Berishën dhe aleatët e tij, pasi nuk mori më shumë se 50 mandate deputeti, përkundrejt 83 mandateve të fituara nga PS e drejtuar nga Edi Rama.
Ishte një humbje e paralajmëruar, madje thuajse në këto shifra që arriti më 11 maj. Të gjitha sondazhet serioze të zhvilluara në Shqipëri, por dhe vetë sondazhet e brendshme që realizoi para e gjatë fushatës PD dhe opozita, nuk e diskutonin humbjen e Berishës në zgjedhje, por diskutohej vetëm thellësia e kësaj humbjeje.
Berisha kishte kohë që përgatitej për të gjetur alibinë e humbjes më 11 maj. Po bënte dhe ‘provat gjenerale’ për këtë moment, teksa kërcënonte se nuk do të lejonte abuzimin me votën, se kush prekte votën do të merrte dënimin e merituar e të tjera deklarata si këto.
Madje kërcënonte dhe Ramën e administratën, për të lënë ‘gjurmë’ se e kishte paralajmëruar me kohë manipulimin e votës, sipas tij.
Por nga ana tjetër Berisha ka gjetur ‘terezinë’ dhe me goditjen e votës së diasporës, veçanërisht votën e ardhur nga emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Përmes kontestimit të këtyre votave që në krye të herës.
Dy herë në ditë, kreu i PD del para mediave duke pretenduar disa skema të mëdha manipulimi me votën e emigrantëve në Greqi, përmes kompanisë së pajtuar për dërgimin e zarfeve e kthimin e tyre me votën e qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj.
Ndonëse dërgimi dhe kthimi i zarfeve me fletën e voitimit është realiziar njësoj si në Greqi, ashtu dhe në Gjermani, Itali, Angli e vende të tjera ku ka shqiptarë, Berisha ka ‘përzgjedhur’ vetëm votën e shqiptarëve në Greqi për ta goditur si të manipuluar nga ‘patronazhistët e Ramës’ siç ka shumë dëshirë ta quajë.
Me sa duket Berisha këtu ka më shumë shpresë për të përbaltur procesin zgjedhor të 11 majit, dhe për shkak se sipas dyshimeve, segmente të caktuara të shërbimeve greke, kanë tentuar të ‘çakordojnë’ procesin e shpërndarjes nga nënkontraktorët e kompanisë së pajtuar nga KQZ për votat në diasporë, DHL, për të pasur më pas në dorë dhe ndonjë ‘aset’ goditjeje të procesit.
Pikërisht duke mbajtur shpresë tek këto marifete, Berisha dhe opozita urdhëruan numëruesit që të mos merrnin në dorë votat e ardhura nga diaspora jonë në Greqi, duke lënë për në fund afër 60 mijë zarfe me vullnetin politik të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj. Me përpjekjet për të bllokuar numërimin dhe përfshirjen e këtyre votave në rezultatin përfundimtar.
Duke qënë se ‘artificat’ e Berishës dhe opozitës për të nxjerrë jashtë loje vullnetin e qytetarëve shqiptarë në Greqi, të shprehura përmes votës së 11 majit s’funksionuan, rezultati përfundimtar solli një diferencë pak më të madhe votash se sa në rang kombëtar për votat brenda vendit mes mazhorancës dhe opozitës, duke arritur në masën e 61 përqind në favor të PS dhe të Edi Ramës.
Në tërësi votat e diasporës ndikuan vetëm në një mandat shtesë për PS, ndërkohë që ‘çimentuan’ dhe rezultatin e PD e të aleatëve të saj në 50 deputetë, pasi për shkak të ‘gërryerjes’ nga partitë e reja apo dhe nga PS, rezultati mund të ishte akoma më i ulët për Berishën. Pra s’pati ndonjë ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit, vetëm ndikoi në rritjen e përfshirjes së diasporës në fatet e vendit dhe përmes votës.
Kishin dekada që e kërkonin votimin diaspora.
Por Berishës i duhet një alibi për humbjen e thellë, pasi kërkon të qëndrojë pa probleme në krye të PD, megjithëse askush s’ia merr dot partinë pavarësisht nenit të statutit sipas të cilit tashmë është automatikisht i shkarkuar. Berisha nuk pyet për statutin, pasi nenin e vendosi për Bashën në fakt, për të s’ka vlerë. Përpos faktit se kush guxon në PD të kërkojë dorëheqjen e Berishës. As në mendje nuk i shkon askujt.
Maejithatë, Berisha me mosnjohjen e zgjedhjeve kërkon që të justifikojë humbjen rrënuese përballë atij grushti njerëzish të cilët e ndjekin, thjeshtë dhe vetëm për t’i pasur për katër vite në opozitë si një ‘gardë’ mbrojtëse në përballjen e tij me drejtësinë dhe me ‘non gratën’ në SHBA dhe në Britaninë e Madhe.
Pavarësisht se trendi i votave të diasporës në Greqi ishte i njejtë me atë të diasporës në Itali, Gjermani dhe Britani, dhe të gjithë bashkë shkonin në drejtim të trendit të votës së hedhur në Shqipëri, Berisha e di si dreqi se përse emigrantët shqiptarë në Greqi nuk e votuan PD dhe koalicionin që ai drejtonte. Madje u votua pak si tepër për mënyrën se si iu qas Berisha votës së emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj.
Për hir të së vërtetës, Berisha nuk bëri fushatë për vota në takimet e tij me diasporën në Athinë, por thjeshtë shkoi atje për të pasur mbështetjen e qeverisë qeverisë greke në alibinë e tij të humbjes zgjedhjet e 11 majit. Por dhe mbështetjen e segmenteve të caktuara të shërbimeve greke për këto pretendimet e tij artificiale të manipulimit të votës së emigrantëve në Greqi.
E themi këtë sepse Berisha takimet me emigrantët shqiptarë në Greqi i realizoi duke pasur Fredi Belerin në krah. Ishin takime të vakëta, për të mos thënë tepër irrituese për emigrantët shqiptarë në Greqi, çka paralajmëroi efektin e kundërt të qëllimit për të cilin kishte shkuar Berisha për të mbledhur vota në Athinë për 11 maj! Qëllimit të deklaruar themi.
Berisha bëri fushatë në Greqi me përfaqësuesin më të zjarrtë të partisë ekstreme greke “Agimi i Artë”, e cila po nga shteti grek është nxjerrë jashtë ligjit. Beleri akuzohet për pjesëmarrje në masakrën e Peshkëpisë në vitin 1994, ku u vranë ushtarakët shqiptarë në pikën kufitare, është dënuar nga gjykatat shqiptare për përdhosjen e simboleve kombëtare, por dhe për blerje votash në bashkinë e Himarës.
Fredi Beleri, aktualisht i zgjedhur nga partia e Mitsotakis si deputet në Parlamentin Evropian duke përfaqësuar shtetin grek, nuk ka rreshtur së punuari, pa rezultat, për përhapjen e helenizmit në jug të Shqipërisë, si dhe është përpjekur për të promovuar të ashtuquajturin “Vorio Epir” po në jug të vendit. Edhe takimet elektorale i bënte duke pasur në sfond flamurin e “Vorio Epirit”.
Emigrantët shqiptarë që kanë ndjekur nga media apo nga rrjetet sociale takimet e Berishës në Athinë, takime këto bashkë me Belerin, theksojmë që në takim s’kishte asnjë flamur shqiptar, nuk kanë lënë pa kaluar nëpër mendje të gjitha operacionet ‘fshesa’ të realizuara nga shteti grek për shkak të Berishës, udhëtimin e tyre nëpër male, në borë, në shi apo vapë për të shkuar në shtetin grek për të punuar e mbajtur familjet e tyre, dhunën e ushtruar nga ekstremistët grekë të ‘Agimit të Artë’, pjesë e të cilit është dhe Beleri, zvarritjet pafund të letrave për lejeqëndrimet dhe jeta nën ankth e frikë për shkak të ndonjë ‘fshese’ të re të policisë greke.
Nuk mund të përjashtojmë këtu edhe faktin e irritimit për shkak të marrëveshjes së ‘detit’ ku Berisha me firmë dhe me vulë i dha territor shqiptar Greqisë, dhe ishte vetëm ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi këtë marrëveshje, çka bëri të mundur mbrojtjen e territorit shqiptar, nga falja e detit Greqisë nga ana e Berishës.
Janë të ndjeshëm emigrantët shqiptarë ndaj të gjitha lëvizjeve politike në Greqi dhe në Shqipëri, aq më tepër që ata kishin marrë pjesë apo parë më herët dhe takimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama me diasporën në mes të Athinës, i cili kishte evidentuar vuajtjet e emigrantëve shqiptarë nga ekstremistët grekë dhe mbijetesën e tyre të fortë përballë kësaj dhune.
Janë ndjerë dinjitozë diaspora me prezencën e Ramës. Ndërkohë në antitezë, Berisha shkon në Athinë i shoqëruar nga përfaqësuesi më ekstremist grek Fredi Beleri, për të kërkuar vota. Një mision i pamundur ky, i shkatërruar që në gjenezë nga vetë Berisha. Ndoshta dhe me dashje!
Të “mbjellësh’ Belerin në Greqi dhe të presësh të ‘korra të mbara’ votash nga emigrantët shqiptarë në Greqi, është jo vetëm utopi por dhe një absurditet maksimal ky. Këtë e di fort mirë dhe Berisha, i cili për hir të së vërtetës nuk shkoi për vota në Greqi se e dinte se PD ishte një rrënim si në votat e diasporës ashtu dhe në votat brenda Shqipërisë. Berisha mori një figurë si Beleri në krah në takimet me diasporën, thjeshtë dhe vetëm për të vënë në jetë marifetet e tij, për të pasur mbështetje për përbaltjen e zgjedhjeve të 11 majit. Të cilat ishin rrënuese për të, dhe nuk mundet as Zoti ta justifikojë këtë humbje të thellë. Përmendëm Zotin, pasi Berisha pretendon se është i dërguari i tij në tokë, në krye të PD.
Prandaj Berisha nuk mund të ‘injektojë’ askund në mënyrë serioze pretendimin e tij për të paraqitur 11 majin, si ditën e zgjedhjeve të manipuluara. E themi këtë sepse nuk ka asnjë provë e fakt për këtë qëllim, ndaj deklaron në çdo dalje publike se ‘nesër do të publikojmë dokumentet e manipulimit të madh të votës, farsës elektorale të 11 majit’, duke mos e realizuar asnjëherë. Nuk ka asgjë në dorë, sepse nuk ka pasur asgjë për t’u shënuar nga fushata dhe dita e zgjedhjeve.
Shpresoi tek Greqia dhe Beleri, por dhe fqinji ynë jugor ishte i pafuqishëm për ta ndihmuar, ndaj dhe Beleri kërkoi largimin e Berishës nga drejtimi i PD dhe opozitës. Të të tregojë ‘derën’ dhe Beleri, duke të konsideruar si të pavlerë që nuk i nevojitet më, është me të vërtetë fundi i botës.
Për më tepër, që dhe operacioni “Ura” si bashkëpunim i SPAK e policisë shqiptare me antimafian e prokurorinë italiane që vuri në pranga 42 persona për trafik të drogërave të rënda, mes të cilëve dhe vëllain e truprojës së Berishës, si dhe një person tjetër, njeriun më të afërt të liderit tjetër të opozitës, Ilir Meta, i cili gjendet në burg nën akuzën e korrupsionit, nuk i erdhi fort për shtat pretendimeve të Berishës.
Ky operacion i organeve ligjzbatuese italo-shqiptare kundër tre grupeve kriminale po italo-shqiptare të drogës ia hoqi dhe këtë alibinë që kishte Berisha për tjetërsimin e votës në favor të PS, për shkak të ndërhyrjes së grupeve kriminale të Durrësit dhe gjithë vendit. Madje dhe në diasporë.
Prandaj themi se Berisha po bën atë që ka bërë sa herë që ka humbur, mosnjohjen e zgjedhjeve dhe të humbjes së thellë për herë të katërt përballë PS dhe Edi Ramës. Vetë Berisha është i fituari i madh në fakt! Pasi ka një grusht deputetësh kamikazë në Kuvend si dhe një grusht militantësh demokratë në terren, për t’i përdorur sa herë që t’i nevojiten si mburojë përballë drejtësisë dhe SHBA.