Qëndrimi i kandidates së Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Adriana Kalasë ndaj koleges së saj demokrate, Jorida Tabakut, mesa duket nuk ka për të ndryshuar, edhe pas deklaratës së Sali Berishës, i cili një ditë më parë vlerësoi fushatën që ajo bëri.

Berisha u shpreh se Kalaja nuk ka asnjë provë apo fakt për të provuar akuzat e saj se deputetes Tabaku “ia bleu votat Edi Rama”, me qëllim që të poshtëronte sipas saj kundërshtarin e tij politik.

Pas “mbrojtjes” që ish-kryeministri i bëri publikisht Tabakut, gazetari Isa Myzyraj ka bërë një postim në llogarinë e tij në Facebook në të cilët shkruante:

“Sali Berisha sapo tha: Jorida është më e mira dhe ka bërë një fushatë të mrekullueshme dhe i meriton ato vota. Mes tij dhe Adriana Kalasë s’ka më paç”.

Ndërkohë, që i menjëhershëm ka qenë reagimi i avokates e cila ka lënë komentin e saj duke insistuar në pretendimin e saj.

Madje sipas Kalasë, do vijë dita kur vetë Berisha do t’i japë të drejtë dhe do t’i kërkojë falje.

“Je shumë gabim. Partia jonë prandaj quhet demokratike. Do vi dita kur dr.Berisha të më japë të drejtë.

Plus që kanë gjithë këto ditë ata që më kundërshtonin prej dy vitesh si për Kodin Zgjedhor, si për votën e diasporës, më kanë kërkuar falje.

Gjithsesi, mbaje këtë status se do i rikthehemi shumë shpejt”, shkruan Kalaja.