Nga Ali Prifti

Në zgjedhjet e vitit 2021, koalicioni i Bashës (ku nuk përfshihej zyrtarisht LSI) mori 622 mijë vota të vlefshme. (Ndoshta rreth 40 mijë të tjerë votuan për të, por u ngatërruan me fletën e ndërlikuar të votimit, dhe u rezultoi vota e pavlefshme.)

Nga sondazhet e fundit që u publikuan të hënën në telvizione, mund të llogaritet përafërsisht se rreth 1.65 milionë zgjedhës të këtushëm janë të vendosur të votojnë të djelën. Nga këta rreth 36% janë të prirur të votojnë “Aleancën për Shqipërinë Madhështore” të Berishës, Metës, et al. Pra, i bie që rreth 590 mijë zgjedhës të këtushëm të votojnë për madhështorët.

Deri më sot, rreth 175 mijë emigrantë i kanë dërguar votat me postë, dhe ky numër mund t’i afrohet 200 mijëve deri të djelën në darkë. Në qoftë se raportet e përqindjeve të votave për partitë janë të ngjashme edhe në diasporë, i bie që rreth 70 mijë vota të diasporës të jenë për “Aleancën për Shqipërinë Madhështore” të Berishës, Metës, et al.

Duke përmbledhur, për madhështorët mund të votojnë rreth 660 mijë gjithsej (rreth 590 mijë këtu dhe rreth 70 mijë në emigracion), por duke llogaritur rreth 40 mijë vota të pavlefshme, mund të vijmë tek numri i përafërt i 620 mijë vota të vlefshme për madhështorët.

Me pak fjalë, Berisha+Meta+vota nga diaspora, ndoshta rezultojnë me më pak vota se sa Basha i vetëm më 2021 (pa vota nga diaspora)…

Post scriptum: Duke përdorur të njëjtat llogaritje të përafërta si më sipër, PS mund të rezultojë me rreth 870 mijë vota të vlefshme gjithsej, krahasuar me pothuaj 770 mijë vota të vlefshme që siguroi më 2021 (kur kufijtë ishin të mbyllur nga pandemia dhe zgjedhësit nga diaspora nuk mund të votonin me postë).