Deputeti i sapozgjedhur në Parlamentin e ardhshëm të Shqipërisë, Ardit Bido, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit dhe qëndrimin e opozitës ndaj tij.
Ai theksoi se reagimi i opozitës ishte i pritur që prej fillimit të vitit.
“E dinim që në janar se çfarë do të ndodhte. Është një histori që përsëritet nga opozita – një retorikë e vjetër që nis me ‘librin e zi’, të njëjtën që kemi dëgjuar që në vitin 2001,” u shpreh Bido në një intervistë për News24.
Ai vlerësoi procesin zgjedhor si të qetë, pa incidente serioze dhe transparent, duke theksuar se kishte shumë palë vëzhgues gjatë numërimit, çka garantoi besueshmërinë e rezultatit.
“Nuk kam dëgjuar asnjë mik të djathtë që të thotë se strukturat e PD-së mendonin se do të fitonin. Tani po dalin me një alibi për një humbje që e dinin,” tha ai.
Bido kritikoi edhe qëndrimin e opozitës për refuzimin e votimit dhe numërimit elektronik, duke shtuar se ky ishte një skenar i përgatitur më herët dhe se përqendrimi i debatit në këtë temë është i padobishëm.
Në vijim të deklaratës, ai ftoi klasën politike të lë pas justifikimet dhe të përqendrohet te përfaqësimi real i qytetarëve.