Një bos shqiptar droge ka zbuluar arsyen pse beson se policia britanike nuk do t’i mposhtë kurrë bandat që kontrabandojnë kokainë në Mbretërinë e Bashkuar. Gangsteri, i cili foli për MailOnline në kushte anonimiteti, tha se që nga viti 1995, shqiptarët kanë qenë lojtarë të rëndësishëm në tregtinë e kokainës në Itali, Belgjikë, Holandë dhe Spanjë, duke pasur rrjete të qëndrueshme furnizimi. Për të hyrë në tregun e Mbretërisë së Bashkuar në fund të vitit 2000, ata përdorën si moto ‘shit lirë dhe shit më shumë’.

Shqiptari, i cili bëri 17 vjet burg si pjesë e një grupi të madh kriminal të organizuar në tregtinë e kokainës, shpjegoi se një arrestim nuk do të thoshte domosdoshmërisht fundi i rrugës për atë qelizë të kontrabandës së kokainës. Që nga viti 2005, Agjencia Kombëtare e Krimit, e cila zëvendësoi Agjencinë e Krimit të Organizuar të Rëndë, dhe Drejtoria e Krimit të Specializuar në Scotland Yard kanë arrestuar dhe dënuar me sukses qindra shqiptarë për tregtinë e kokainës. Në fund të vitit të kaluar kishte pothuajse 1,100 shqiptarë në burg, përfshirë edhe bosët të mafias ballkanike.
Përveç kontrollit të tregtisë së drogës, gangsterët shqiptarë që terrorizojnë Mbretërinë e Bashkuar janë dënuar gjithashtu për vrasje, krime seksuale, pastrim parash dhe kontrabandë njerëzish. Por, sapo shkatërrohet një grup i krimit të organizuar shqiptar, një i ri e zëvendëson.

Gangsteri i tha MailOnline se kjo ishte për shkak të një praktike të quajtur ‘shitja e punës’.

Ai tha se kur arrestohej një anëtar i bandës, nëse Policia nuk i merr dot telefonin, bashkëpunëtorët e tij ia shesin (bashkë me kontaktet brenda) për deri në 100,000 paund. Bosi shqiptar i drogës mburret se si ai dhe gangsterët e tjerë arritën të dominonin tregun e kokainës.

“Ne kishim pastërtinë më të lartë të kokainës për gram. Kjo i bëri përdoruesit ta merrnin drogën nga ne dhe t’i braktisnin shitësit ekzistues. Kjo bëri që organizata ime, ku isha unë, të bëhej furnizuesi kryesor i kokainës për Portsmouth dhe Bournemouth. Në vitin 2009/10 e ulëm çmimin për një kilogram kokainë nga 35,000 paund në 30,000 paund. Kjo gjë shkaktoi një ndryshim rrënjësor për tregun në atë kohë,”- tha ai për “Dailymail”.
NCA tha vitin e kaluar se tregtia e drogës e lidhur me shqiptarët ishte aktive në të gjithë vendin në qytete, qyteza dhe madje edhe në zona rurale.

“Objektivi i tyre kryesor kur fitojnë para është t’i nxjerrin ato nga vendi sa më shpejt të jetë e mundur,”- tha Steve Brocklesby, Menaxher i Inteligjencës nga NCA.
Ata i kontabandojnë paratë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri në çfarëdo forme. Mendohet se qindra miliona paundë largohen nga Mbretëria e Bashkuar dhe përfundojnë në Shqipëri, ku më pas gjysmë-legjitimohen ose në sistemin bankar ose për të financuar ndërtime.

“Ne gjithashtu e dimë se shqiptarët do të transferojnë paratë e Mbretërisë së Bashkuar në zyrat e këmbimit valutor në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë, i këmbejnë në euro dhe i çojnë në Shqipëri. Mund të presim të shohim një rritje në përdorimin e kriptovalutave dhe investimeve të tjera më pak të rregulluara në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe investime të drejtpërdrejta në Mbretërinë e Bashkuar në vitet e ardhshme.”
NCA është kontaktuar për koment lidhur me deklarimet e shqiptarit, por ende nuk ka një përgjigje.