Nga Raimund Jehle*
Shqipëria ndodhet në një moment përcaktues për të ardhmen e saj bujqësore. Me më shumë se një të tretën e popullsisë të angazhuar në bujqësi, ky sektor nuk është vetëm shtylla kurrizore e jetës rurale — por edhe një shtyllë strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Teksa Shqipëria vijon udhëtimin në udhëkryqin e modernizimit ekonomik, qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe integrimit në Bashkimin Evropian (BE), transformimi i sistemeve të saj agroushqimore nuk është më një zgjedhje — është një domosdoshmëri.
Në botën e sotme, bujqësia është më shumë se thjesht prodhim. Ajo është e lidhur me ushqyerjen e popullsisë, rigjenerimin e ekosistemeve, krijimin e vendeve të denja të punës dhe ndërtimin e komuniteteve të qëndrueshme. Kjo është qasja e sistemeve agroushqimore — një qasje gjithëpërfshirëse, nga ferma deri në tryezën e konsumatorit, që përfshin politikat, prodhuesit, konsumatorët dhe veprimin për klimën. Në Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara (FAO), jemi krenarë që shoqërojmë Shqipërinë në këtë udhëtim, duke punuar krah për krah me qeverinë, fermerët, shoqërinë civile dhe sektorin privat.
Qëndrueshmëria shpesh shihet si një ideal abstrakt, por kuptimi i saj në terren është i thjeshtë. Do të thotë të sigurohemi që ajo çka hamë të jetë e sigurt. Do të thotë të prodhojmë ushqim në një mënyrë që respekton natyrën. Dhe do të thotë të menaxhojmë me urtësi tokën dhe ujin — veçanërisht në një vend që po përballet gjithnjë e më shumë me thatësira, përmbytje dhe modele të paqëndrueshme të motit për shkak të ndryshimeve klimatike.
Partneriteti i FAO-s me Shqipërinë e vë këtë vizion në jetë. Në Elbasan, gratë rurale po fitojnë mjete, trajnim dhe teknologji për të përpunuar dhe tregtuar produktet e tyre bujqësore — duke e kthyer bujqësinë e mbijetesës në sipërmarrje. Në pyjet e gështenjave, kontrolli biologjik i dëmtuesve i mbështetur nga FAO po mbron biodiversitetin dhe të ardhurat e zonave rurale. Nëpërmjet këtyre nismave, bujqësia e qëndrueshme nuk është më thjesht një objektiv politik, por një realitet i përditshëm.
Shqipëria është në një pozitë unike të favorshme për të udhëhequr këtë transformim. Biodiversiteti i pasur, klima e favorshme dhe shumëllojshmëria e bimëve mjekësore, frutave dhe perimeve përbëjnë një avantazh natyror konkurrues. Falë këtyre veçorive dhe interesit gjithnjë e më të madh për agroturizmin dhe trashëgiminë kulinare, Shqipëria ka çdo mundësi për të marrë një rol udhëheqës në rajon për prodhimin bujqësor cilësor, të qëndrueshëm dhe me vlerë të shtuar.
Por realizimi i këtij potenciali kërkon një ndryshim sistemik. Kjo do të thotë të forcojmë zinxhirët e vlerës, nga prodhimi dhe përpunimi, deri te tregu. Të garantojmë sigurinë ushqimore dhe të ndërtojmë besimin e konsumatorëve. Dhe të krijojmë një mjedis që mundëson zhvillimin e fermerëve, veçanërisht të rinjve dhe grave.
Digjitalizimi është një faktor që ndryshon rregullat e lojës. Projekti DART (Digital Agriculture and Rural Transformation in Albania – Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural në Shqipëri ) i FAO-s, për shembull, po përmirëson qasjen ndaj të dhënave të motit dhe këshillimit bujqësor nëpërmjet Portalit të Fermerëve — duke sjellë zgjidhje në kohë reale në majë të gishtave të fermerëve. Këto risi fuqizojnë fermerët e vegjël, përmirësojnë prodhimin dhe ulin rreziqet, duke i hapur rrugën një ekonomie rurale më të zgjuar dhe më të ndërlidhur.
Në mënyrë të veçantë, transformimi i sistemeve agroushqimore duhet të jetë në linjë me rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Përmbushja e standardeve të BE-së nuk ka të bëjë vetëm me legjislacionin, por edhe me ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, hartimin e politikave të bazuara në evidencë dhe mbështetjen e fermerëve të mirëpajisur. FAO-ja është krenare që mbështet Shqipërinë në përafrimin e sistemeve të saj me acquis-in e BE-së, duke e kthyer përputhshmërinë në një përparësi konkurruese.
E ardhmja që na prin nuk është pa sfida. Fragmentimi i tokës, plakja e popullsisë rurale dhe pengesat infrastrukturore vazhdojnë të kufizojnë rritjen. Rreziqet klimatike shtojnë kompleksitetin. Megjithatë, këto nuk janë të pengesa të pakapërcyeshme. Me veprim të bashkërenduar dhe udhëheqje vizionare, këto sfida mund të shndërrohen në mundësi për rritje gjithëpërfshirëse dhe risi.
Duke investuar sot në sistemet e saj agroushqimore, Shqipëria investon në të ardhmen e saj. Një të ardhme ku bujqësia do të thotë fuqizim, ku sistemet ushqimore janë të drejta dhe të qëndrueshme, dhe ku fshati kthehet në një vend mundësish, jo një vend migrimi.
Tani është koha për të vepruar — për të ndërtuar një të ardhme agroushqimore, të gjelbër, të qëndrueshme dhe të rrënjosur në tokën e pasur të Shqipërisë.
*Përfaqësues i FAO-s në Shqipëri dhe Drejtues i Programit Rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore