Sali Berisha urren Shtetin në çdo formë të tij. Urren SPAK-un, urren Kuvendin, urren Policinë e Shtetit, urren KQZ-në, urren KAS-in, urren Gjykatën Kushtetuese, urren Gjykatën e Lartë, urren kryetarët e bashkive përveç atyre të PD-së, urren çdo institucion publik, urren kundërshtarët e tij politikë. Por urren edhe institucionet private, duke filluar nga mediat, përveç atyre që kontrollon vetë. Urren biznesmenët, ose të paktën ata që nuk e paguajnë. Urren ambasadorët. Urren shqiptarët që nuk e votojnë.

Ky plak i mbaruar ushqehet me urrejtje, kultivon urrejtje, shpërndan urrejtje. Këtë e ka bërë gjithmonë, urren hapur pa asnjë ndjenjë turpi, dhe po të kthehemi pas në vite, urrente po kaq fort edhe kur ishte në pushtet, thjesht që atëherë e bënte fshehurazi, duke përdorur institucionet që kontrollonte. Kur është në opozitë, urren personalisht, haptazi, dhe i detyron të urrejnë hapur edhe shërbëtorët e tij: deputetët, gazetarët, drejtuesit e partisë, familjarët apo militantët.

Eshtë kjo politikë e bazuar në urrejtje ajo që u mund më 11 maj. Por Berisha nuk e kupton. Dhe në vend që të reflektojë dhe të ndryshojë strategji, komenton disfaten elektorale të shkaktuar nga urrejtja e tij, duke shpërndarë edhe më shumë urrejtje. Me sa duket është krenar që urrejtja e tij nuk ndryshon kurrë.

Në komunikimin publik që pasoi disfatën e 11 majit, Sali Berisha imponoi të njëjtin gjuhë si edhe më parë: përdor të njëjtat argumente, të njëjtat akuza, të njëjtat shpifje, të njëjtat gënjeshtra, pa pikë fantazie. Sigurisht, tani përqendrohet tek “masakra zgjedhore” dhe “farsa elektorale”, terma edhe këto të konsumuara përtej masës. I kishte përdorur që në 1994, pastaj në 1997, në 2001, pastaj në 2013, në 2017, në 2021 dhe tani i përserit me të njëjtin përçmim si gjithmonë. Vetëm se tani nuk i beson më askush.

Monotonia dhe përsëritja në politikë janë një mallkim që vret cdo lider që e përdor, sepse lodhin këdo tjetër. Sali Berisha dhe betejat e tij të rreme i kanë lodhur të gjithë, dhe kjo duket nga numri i pjesëmarrësve në protestat e tij, nga numri i ndjekësve në rrjetet sociale dhe sidomos nga numri i atyre që e votojnë.

Sot ka filluar sërish të tregojë “përallën” për qeverinë teknike (si gjithmonë, pa mundur ta marrë pushtetin me vota, shpreson ta marrë në tavolinë), dhe së shpejti me siguri do të rikthehet me mosbindje civile, e ndoshta edhe me bojkot të Kuvendit të ri. Èshtë bërë aq i parashikueshëm në gjithçka që thotë dhe bën, sa është kthyer në një meme. Dhe memet, nëse nuk të bëjnë të qeshësh, fshihen me një klik. Memet nuk lenë gjurmë.

Beteja “për votën e lirë” që ky 81-vjeçar i etur për pushtet pretendon se ka nisur, është vetëm hipokrizia e radhës e një politikani në fund të karrierës që në jetën e vet ka shkelur votën e lirë i pari, dhe qindra herë të tjera. Dhe tani kërkon ta ringjallë në mënyrë paradoksale këtë justifikim qesharak dhe të konsumuar, vetëm për të arsyetuar humbjen e radhës.

Sali Berisha, që urren çdo institucion të shtetit demokratik, duket se dashuron vetëm një shtet që fatmirësisht nuk ekziston më. Ai dashuron në kujtime shtetin e tij personal të dikurshëm, ku kishte prokurorë të korruptuar, gjykatës të nënshtruar, kriminelë bashkëpunëtorë, gazetarë të bindur, institucione publike të kapura, polici të dhunshme, një KQZ të gatshme të certifikonte manipulimet e tij, madje edhe ambasadorë amerikanë që e quanin “burrë shteti” pas masakrës së 21 janarit dhe të tjerë që mbulonin manipulimet zgjedhore të vitit 1996 në emër të Italisë. Ato kohë kanë marrë fund për Shqipërinë, jo vetëm për Sali Berishën.

Por Berisha vazhdon të dashurojë edhe ata pak shërbëtorët e pakuptimtë që ende e rrethojnë, burra pa dinjitet, si “budallai i familjes” që janë bërë miliarderë duke përfituar nga puna dhe pushteti i të tjerëve. Berisha rrethohet me mediokër, të vetmit që e durojnë, sepse në mediokritetin e tyre nuk kanë asnjë alternativë.

Por pikërish këta mediokër janë ata që i largojnë votuesit, sepse ndryshe nga sa mendon Sali Berisha, shqiptarët nuk janë më ata naivët e vitit 1992 që si përvojë të vetme kishin një regjim gjakatar e shtypës. Sot shumica e popullit shqiptar është emancipuar, ka udhëtuar, ka lexuar, është arsimuar dhe ka mësuar të dallojë njerëzit. Më e rëndësishmja, shqiptarët janë të lodhur nga urrejtja, që në 45 vitet e komunizmit ishte arma kryesore e diktatorit për të sunduar vendin, dhe që sot Sali Berisha po e rikthen si trashëgiminë e vetme të historisë së tij politike.

Eshtë pikërish kjo arsyeja pse Sali Berisha humbi zgjedhjet. Presionet e vetme që kanë ndikuar votën nuk janë ato të policisë, administratës apo krimit, siç pretendon propaganda e pashpresë e PD-së, por presionet që Sali Berisha ushtron çdo ditë mbi inteligjencën dhe dëshirën për paqe të popullit shqiptar./SHQIPTARJA.COM