Premier League e futbollit në Angli zhvilloi të premten (16 maj) dy ndeshjet e para për raundin e 37-të, ose thënë ndryshe të parafundit të sezonit. Te suksesi dolën Chelsea dhe Aston Villa, duke marrë për momentin dy pozicionet e fundit që sezonin e ri të dërgojnë në Champions League. Man. City kërkon fitoren kundër Bournemouth (20 maj) për të kaluar në zonën e Ligës së Kampioneve, teksa duket se skuadrat evropiane në Premier League do vendosen vetëm pas përballjeve të fundit.
Në “Stamford Bridge” Chelsea mposhti 1-0 Manchester United në një sfidë me polemika dhe shtatë kartona të verdhë. Me këtë sukses të besuarit e Marescas ngjiten në pozitën e katërt dhe kanë një ndeshje (kundër Nottingham) për të marrë një biletë për në Champions League. Sfida u hap me golin e Harry Maguire në minutën e 16-të për miqtë, por që VAR e anuloi për pozicion jashtë loje milimetrik. Aq delikat ishte ky rast, sa Premier League u desh të dilte me një komunikatë për vendimin.
Me pjesën e parë që u mbyll 0-0, dukej minuta e 71-të që spanjolli Marc Cucurella të shënonte golin me vlerën e tri pikëve pas pasimit final të James. Tri pikë të arta për Chelsea në garën e hapur për zonën e Champions, ndërsa mund të tingëllojë çuditshëm, por Man. United e ka siguruar mbijetesën dhe nga kampionati nuk pret gjë në raundin e mbetur (kundër Aston Villas), duke dëshmuar një sezon të dështuar. Shpresat e “Djajve të Kuq” janë në finalen e Europa League, aty ku kanë përballë Tottenham dhe kërkojnë biletën Champions nga Europa League.
Në “Villa Park” të Birminghamit, Aston Villa mposhti 2-0 Tottenhamin dhe për momentin mban pozitën e gjashtë në Premier League, zonë kjo që të dërgon në Champions League. Konsa dhe Kamara në pjesën e dytë shënuan për ekipin e Unai Emery. Ndeshje emocionuese për Emiliano Martinez, portierin argjentinas të Villas që për herë të fundit luajti para tifozëve të tij, kjo pasi kampioni i botës do largohet në verë pas shumë ofertave nga Evropa dhe Arabia Saudite. Nga ana tjetër sezon për t’u harruar nga Spurs, që në kampionat ka siguruar mbijetesën dhe luan në finalen e Europa League kundër Man. United.
Premier League, raundi 37-të – E premte 16 maj 2025
Aston Villa 2-0 Tottenham
Chelsea 1-0 Manchester United