Ditën e nesërme, më 1 qershor, në 32 qytete të Serbisë do të mbahen protesta me emrin “Çohu, Serbi”, dhe sipas studentëve, pritet të bllokohen urat “Brankov Most” dhe “Gazela”. Protesta do të nisë në orën 18:00 dhe do të zgjasë deri në orën 21:16, të paktën për këtë periudhë është marrë leje nga autoritetet policore në Serbi.

Protesta “Çohu, Serbi”, e cila zhvillohet me sloganin “Duam zgjedhje”, fillimisht ishte paralajmëruar për qytetin e Pozharevcit, por tani përfshin gjithsej 32 qytete: Aleksinac, Beograd, Bela Palanka, Bor, Čačak, Jagodina, Kikinda, Kosovska Mitrovica, Kragujevc, Kraljevo, Krushevc, Leskovac, Loznica, Novi Pazar, Novi Sad, Pançevo, Pirot, Priboj, Prokuplje, Ruma, Senta, Sombor, Sremska Mitrovica, Subotica, Surdulica, Shabac, Uzhice, Valjevo, Vlasotince, Vršac, Zrenjanin dhe Niš.

Studentët, të cilët kanë protestuar për më shumë se gjysmë viti, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad, raportohet në media.

“Më shumë se zgjedhje, ne duam drejtësi!” – brohoritën mijëra studentë që demonstruan dje në Beograd dhe në qytete të tjera të Serbisë.

Ditën e djeshme, në kryeqytet, ata zhvilluan një marshim nëpër rrugët kryesore të qytetit, i cili përfundoi para ndërtesës së qeverisë.

“Sa jetë duhet të rrezikohen ose të humbasin që t’i jepet fund korrupsionit?” – ishte mesazhi kryesor i protestës në Beograd.

Studentët, që kanë protestuar prej më shumë se gjysmë viti, kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë e ndodhur më 1 nëntor 2024 në Novi Sad, ku 16 persona humbën jetën pas shembjes së një muri mbrojtës në stacionin e trenit.

Në fillim të majit, ata kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke theksuar se korrupsioni i rrënjosur thellë nuk i lejon institucionet të funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe demokratike.

Studentët bënë të ditur se me shpalljen e zgjedhjeve do të prezantojnë një fletëvotim të përbërë nga ekspertë dhe figura jashtë skenës aktuale politike.

Presidenti i Republikës, Aleksandar Vuçiç, duke komentuar kërkesën e studentëve për zgjedhje të parakohshme, deklaroi se ato do të mbahen brenda një viti e gjysmë dhe do të shpallen kur të vendosin institucionet përkatëse.