Prej disa javësh, Sali Berisha e ka kthyer në refren kërkesën që Edi Rama t’i dalë përballë në një debat televiziv. Ironikisht, të dy kanë qenë “bashkë” në debat për katër vjet rresht në të vetmen skenë që e njeh Kushtetuta: në Kuvendin e Shqipërisë. Atje kanë pasur gjithë kohën për të përplasur idetë (ose mungesën e tyre) dhe për t’i thënë njëri-tjetrit në sy gjithçka kishin për të thënë.
Në një realitet më të shëndetshëm politik, ndoshta do kishim parë një opozitë që nuk e kthente Parlamentin në arenë piroteknike, me tymuese e flakadanë. Ndoshta do kishim parë më shumë përplasje idesh dhe më pak shfaqje fizike. Por realiteti është se për katër vjet, opozita ishte më e interesuar të digjte selinë e saj, sesa të ndërtonte alternativa. Ndaj edhe Rama, me stilin e tij të zakonshëm për t’u marrë vetëm me “të mëdhenjtë”, nisi të rrallonte daljet në Kuvend. Jo se kishim humbur ndonjë akademik retorike, por kur përballë ke tym e britma, tërheqja është ndonjëherë zgjidhja më e qytetëruar.

Ironia është se edhe kur ishte në sallë, opozita kërkonte ta përjashtonte Ramën. Kur mungonte, e kërkonte me ngulm. Pra, ishte një raport që s’kishte të bënte me përballje idesh, por me nevojën për të pasur një “armik personal” përballë, që t’u japë kuptim akuzave. Me pak fjalë, prezenca e tij shërbente si justifikim për tension dhe si motivim për retorikë agresive.