Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se beson që rritja e gatishmërisë dhe pranisë së forcave ushtarake serbe në kufirin me Kosovën është reaksion ndaj ushtrimit më të madh ushtarak “Defender Europe 2025”, mikpritëse e të cilit është edhe Republika e Kosovës. Në adresimin e tij në mbledhjen e Qeverisë në detyrë, Kurti tha se Republika e Kosovës është pjesë e këtij ushtrimi me përafërsisht 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Aktualisht në tri zona gjeografike në kontinentin e Evropës është duke u realizuar ushtrimi më i madh që ushtria e SHBA-ve organizon dhe realizon në kontinentin e Evropës, ‘Defender Europe 25’, me pjesëmarrje të 25 mijë trupave nga 29 vende të NATO-s. Republika e Kosovës ka nderin dhe kënaqësinë të jetë në mesin e 18 vendeve nikoqire, dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me përafërsisht 1000 trupa në ushtrimet që po zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut. Këtë radhë Republika e Kosovës është vend i përzgjedhur nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është vendosur komanda e Divizionit 28 të këmbësorisë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se rritja e gatishmërisë dhe pranisë së forcave të armatosura serbe në kufi është jo vetëm reaksion ndaj Defender Europe 2025. Por, shtoi se ajo çfarë nuk dihet është se “a po e bënë këtë vetë Serbia apo është kërkesë e Rusisë”.
“E rritja e gatishmërisë dhe pranisë në kufirin tonë e Forcave të Armatosura të Serbisë besojmë që është reaksion ndaj Defender Europe 25, por ajo çfarë nuk e dimë ende është se a po e bën këtë vetë Serbia apo një gjë të tillë ia ka kërkuar Rusia”, tha ai.
Nga kjo e hënë në Kosovë ka nisur stërvitja ushtarake “Defender Europe 2025”, që do të zgjasë deri më 9 qershor. Kosova për herë të tretë është mikpritëse e ushtrimit më të madh ndërkombëtar – të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë – “Defender Europe 2025” [Mbrojtësi i Evropës 2025]. Në operacionin e udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s