Prokuroria e Tiranës vendos mosfillimin e procedimit penal dhe rrëzimin e kallëzimit të depozituar nga deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.
Denoncimi ishte bërë pas pamjeve të një emisioni të televizionit të familjes së Sali Berishës, ku pretendohej se PS nëpërmjet funksionarëve dhe zyrtarëve të saj të lartë vendorë të qarkut Fier dhe dy ministret e kabinetit “Rama”, kishte kryer krim elektoral në Greqi, për votën e diasporës gjatë takimit në muajin shkurt 2025 në Athinë, me emigrantët.
Kallëzimi ishte depozituar konkretisht për: Ogerta Manastirliun, ministre e Arsimit, Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, njëkohësisht zv/kryeministre, Armando Subashi, kryebashkiak i Fierit, Eriselda Sefa, kryebashkiake e Lushnjës, Majlinda Bufi, kryebashkiake e Roskovecit, të githë përfaqësues të PS. Takimi në Greqi ishte mbajtur më fillim të muajit shkurt 2025.
Vokshi pretendonte se një grua që hiqej si përfaqësuese e KQZ-së, regjistronte emigrantët për PS, me qëllime elektorale të 11 majit, në prezencë të zyrtarëve në fjalë. Fillimisht Vokshi kishte kallëzuar në SPAK, por në fund të muajit prill Prokuroria e Posaçme ia kishte kaluar për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, pasi nuk ishin gjetur element të ‘përdorimit të funksionit publik’ për qëllime elektorale apo ‘shpërdorimit të detyrës’.
Më 6 maj të këtij viti është hedhur shorti për këtë kallëzim në Prokurori, që ia ka rënë për hetim prokurores Eloida Goxhi. Pas më shumë se një muaji verifikime të rastit nëpërmjet pamjeve dhe shkresave dokumentare, nuk u gjetën element të veprës penale të “përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore”, të parashikuara nga Neni nr. 246 i Kodit Penal.
Nga ana e saj KQZ ka kthyer përgjigje se nuk ka asnjë zyrtar të saj në terren që bën regjistrim emigrantësh dhe këto regjistrime nuk bëheshin fizikisht, por vetëm online në faqen e KQZ, e hapur posaçërisht për procesin.
Kjo ka rrëzuar pretendimet për konsumimin e veprave penale në lidhje me regjistrimin e emigrantëve nga PS me qëllime elektorale, me ndikim të zyrtarëve.
“Bazuar sa më sipër, organi i akuzës konstaton se ndjekja penale për këtë material nuk mund të fillojë”, konkludon prokurorja Goxhi, duke vendosur mosfillimin e çështjes për kallëzimin e Vokshit.
Vendimi i firmosur dhe vulosur edhe nga kreu i organit të akuzës së Tiranës, Arens Çela, i është përcjellë edhe PD-së për njoftim.