Edhe dy muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të nëntë shkurtit, Kosova vazhdon të mbetet pa institucione. Të martën është shënuar edhe dëshmimi i 22-të i konstituimit të Kuvendit e kjo ka rritur presionin te Lëvizja Vetëvendosje që si parti e parë ka të drejtë propozimin e kryeparlamentarit.

Kjo parti synon që Albulena Haxhiun të zgjedhë si kryetare por ka mungesë të 61 votave, çka ka bërë që pas refuzimit për marrëveshje politike që i ka bërë Lidhja Demokratike e Kosovës, tu drejtohet individualisht deputetëve të kësaj partie.
E nga LDK kanë thënë që Lëvizja Vetëvendosje po shantazhon dy deputetë të tyre në këmbim të votës për kryeparlamentaren.

Anton Quni, deputet i LDK: “Format e presionit janë të ndryshme një ndër to është edhe kjo formë që e përmendët. Duke ofruar benefite të ndryshme për bizneset e tyre familjare”. Dimal Basha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje të martën tha se nuk është në dijeni për një gjë të tillë.

Dimdal Basha, deputet i LVV: “Nëse ka diskutime në mes të deputetëve kjo është krejt normale, por ne i kemi bërë ofertë komplet partisë për të bërë aleancë”.
Për të ndihmuar Lëvizjen Vetëvendosje në nivel parlamentar është shprehur i gatshëm Fatmir Limaj, kryetari i NISMA-s i cili do postin e kryeparlamentarit.
Fatmir Limaj, deputet i NISMA: “Ne e kemi bërë të qartë, NISMA është e gatshme për partneritet në parlament, kemi arsyet tona, tani për tani nuk jemi të interesuar për Qeveri”.

Lëvizja Vetëvendosje deklaron se nuk heqë dorë nga Albulena Haxhiu për postin e kryetares së Kuvendit e insiston në votimin e fshehtë duke shpresuar në vota nga deputetët e tjerë të përfaqësuar në parlament, duke vazhduar kështu ngërçin politik. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill.