Një vrasje e paralajmëruar ka trondit sot Hasin! 41-vjeçari Ylber Jaku ka qëlluar për vdekje me armë zjarri, Rushit Callahin. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 16:40, në fshatin Pla. Shkak për vrasjen është bërë një konflikt që familjet kishin vetëm një ditë më parë. Ditën e djeshme, Policia e Kukësit raportoi se dy familje ishin konfiktuar për motive pronësie. Si pasojë e përplasjes, të lënduar mbetën një çift bashkëshortësh. Për të njëjtën ngjarjes, sot Policia njoftoi se kishte vendosur në pranga një 21-vjeçare, të afërmen e viktimës, e cila kishte plagosur me mjete të forta prindërit e moshuar të autorit të vrasjes së sotme. 21-vjeçarja e identifikuart si A.S., u vendos në pranga për akuzat: “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”; ndërsa dy të moshuarit e familjes Jaku ishin në spital, por jashtë rrezikut për jetën.

“Në vijim të informacionit të dhënë dje, për një konflikt për motive pronësie në fshatin Pla, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has arrestuan në flagrancë shtetasen: A. S., 21 vjeçe, banuese në fshatin Pla, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë konfliktit për motive pronësie, kjo shtetase ka goditur me mjete të forta, shtetasit A. J., 65 vjeç dhe V. J., 60 vjeçe (bashkëshortë). Shtetasi A. J. mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasja V. J. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme,”-bëri me dije Policia.

Por edhe pse një person u vendos në pranga, konflikti duket se nuk u mbyll me aq. Pasditen e sotme, Ylber Jaku ka marrë armën e zjarrit, tip kallashnikov dhe ka shtënë mbi fqinjin e tij duke i marrë jetën në vend. 34-vjeçari u gjet pa shenja jete brenda makinës së tij.

“Rreth orës 16: 40, është marrë njoftim se në fshatin Pla, shtetasi Y. J., 41 vjeç, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. S., 34 vjeç, dyshohet për motive pronësie Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet Policisë, si dhe në mbështetje të Policisë lokale shkuan Forcat e Posaçme Shiqponja të DVP Kukës. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u bë kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit e dyshuar e përdorur nga autori. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes,”-njofton Policia.

Aktualisht, autori 41-vjeçar është vendosur në pranga, ndërkohë që uniformat blu kanë gjetur edhe armën e krimit.