Pas shpalljes së Papës së ri, Leoni i XIV, i zgjedhur sot në krye të Kishës Katolike pas vdekjes së Papa Françeskut, ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga krerët e komunitetit katolik shqiptar.

Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë (KISH), Dom Gjergj Meta, ka përcjellë urimet e tij përmes një deklarate të ngrohtë dhe domethënëse.

“Në emër të Ipeshkvinjëve dhe të gjithë katolikëve në Shqipëri i uroj Papa Leonit XIV zgjedhjen e tij në krye të Kishës katolike,” – shprehet Dom Meta.

Në vijim të deklaratës, ai ka nënvizuar rolin historik të Papës dhe lidhjen e fortë që katolikët shqiptarë kanë pasur gjithmonë me Selinë e Shenjtë.
“Kardinalët sot i dhanë një Ipeshkëv Romës dhe një Bari Kishës Universale. Ne e falenderojmë Zotin dhe i lutemi që Papa të ketë ndihmën dhe mbrotjen e Hyjit e të Zojës së Këshillit të mirë.”

Dom Gjergj Meta ka sjellë në vëmendje sakrificën e besimtarëve shqiptarë në shekuj për besimin dhe përkushtimin ndaj Selisë së Shenjtë:
“Katolikët shqiptarë kanë qenë gjithmonë besnikë ndaj Papës deri në martirizim. Edhe Papa Leonit XIV i ripërtërijmë besnikërinë dhe bindjen tonë si pasardhës i Pjetrit në krye të Kishës së Romës.”

Në fund të deklaratës së tij, ai ka shprehur një dëshirë të përbashkët për të gjithë shqiptarët:

“Jam i sigurtë se të gjithë shqiptarët ushqejnë një afeksion të sinqertë ndaj Papës pavarësisht besimit të tyre. Shpresojmë që shumë shpejt ta shohim Papën në Shqipëri.”
Zgjedhja e Papës Leoni XIV ka ngjallur jehonë të madhe në botën katolike, dhe Shqipëria, si një vend me një traditë të lashtë besnikërie ndaj Vatikanit, shpreh entuziazëm për këtë kapitull të ri në historinë e Kishës.